Vazhdon procesi për zgjedhjen e prokurorëve të rinj
Prishtinë, 29 korrik - Është mbajtur provimi me shkrim për kandidatët për prokurorë të rinj, të cilët me sukses e kanë kaluar testin kualifikues.
Ky proces është monitoruar nga anëtarët e Komisionit për Rekrutim të Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK) dhe vëzhguesit ndërkombëtarë të OSBE-së dhe EULEX-it.
Të gjithë kandidatët të cilët me sukses do të kalojnë provimin me shkrim, do të kenë të drejtë t’i nënshtrohen intervistës, para së Këshilli Prokurorial i Kosovës të propozojë emrat për prokurorë të rinj.
Testi me shkrim është mbajtur në objektin e Akademisë së Kosovës për Siguri Publike, ku kanë marrë pjesë 90 kandidatë.