Vazhdon procesi i trajnimit të mësimdhënësve të shkollave
Prishtinë, 21 shkurt - Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MAShT), ka organizuar takim me Bordin Drejtues të Projektit Trajnimi i Mësimdhënësve dhe ngritja e Kapaciteteve të Drejtorëve të Shkollave në Kosovë (projekt i financuar nga IPA-Komisioni Evropian).
Në këtë takim morën pjesë zëvendësministri i Arsimit, Nehat Mustafa, Sophi Beaumon nga Zyra Ndërlidhëse e Komisionit Evropian si dhe përfaqësues të GIZ it, (implementues i Projektit) , përfaqësues të USAID-it, SWAP-it, Swisscontact-it dhe zyrtar të MAShTit.
Temë e takimit ishte shqyrtimi i raportit të lartpërmendur për trajnime nga projekti IPA -2009 (Komisioni Evropian), implementimin e të cilit e bën GIZ-i. U fol edhe për akreditimin e programeve dhe koordinimin e MAShT-it dhe mbështetësve ndërkombëtar për trajnime me qëllim të pengimit të duplifikimit të programeve trajnuese.
Zëvendësministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Nehat Mustafa ka falënderuar mbështetësit ndërkombëtar të arsimit për ndihmën profesionale dhe materiale që ata iu ofrojnë proceseve zhvillimore të arsimit në Kosovë .
Ne kemi nevojë për ngritjen e vazhdueshme të performancës së mësimdhënësve dhe drejtorëve të shkollave, por për këtë paraprakisht duhet të akreditojmë programet trajnuese si dhe të sigurohemi për cilësinë e trajnimeve. Duhet të dimë edhe për nivelin profesional të ekspertëve, të cilët ofrojnë këto trajnime, tha Mustafa .
MAShT nuk do të lejojë që dikush të ofrojë trajnime pa qenë i akredituar dhe licencuar për këtë çështje , theksoi ne fund zëvendësministri Mustafa.
Sophi Beaumon nga Zyra Ndërlidhës e Komisionit Evropian ndër tjera tha se, organizatat që duan të ofrojnë trajnime përkatëse, duhet të shfrytëzojnë arkivin elektronik përkatësisht edicionin e parë Katalogu i programeve të akredituara për zhvillim profesional të mësimdhënësve dhe të udhëheqësve të arsimit të hartuar nga SËAp e që është bazuar në Kurrikulin e Ri të Kosovës .
Pjesëmarrësit në këtë takim miratuan raportin fillestar për trajnime , ndërsa udhëheqësi i projektit për trajnime të cilat implementohen nga GIZ-i , z. David Doyle dhe eksperti Uwe Graune, folën për rëndësinë dhe cilësinë e trajnimeve që do të bëhen me qëllim ngritjes së performancës së mësimdhënësve dhe drejtorëve shkollave .
Të pranishmit, gjithashtu theksuan nevojën e koordinimit me qëllim të pengimit të duplifikimit të programeve, apo trajnimeve për çka pikë referuese do të jetë Zyra për Integrime e MAShT-it.