Vataj vazhdon vizitën në universitete të rëndësishme evropiane
Bernë, 21 janar - Rektori i Universitetit Ukshin Hoti në Prizren, Prof. Dr. Ramë Vataj, po vazhdon vizitën në universitete të rëndësishme evropiane.
Gjatë së martës, Rektori Vataj i shoqëruar nga Agnieska Vojtja nga Universiteti i Konstanz, në Kreuzlingen të Zvicrës ka takuar udhëheqësin e Asociacionit të Universiteteve dhe Shkollave të Larta të Rajonit të Bodense, Stephan Prehn.
Asociacion që përbëhet nga 30 Universitete e Shkolla të Larta të katër shteteve: Gjermanisë, Zvicrës dhe Lichtensteinit.
Në këtë takim është diskutuar për mundësinë e përkrahjes të UPZ-së nga ky Asociacion, ku u premtua që Universiteti i Prizrenit do të përkrahet përmes projekteve përkatëse. Aty lindi ideja që edhe në Kosovë të themelohet një organizëm i tillë.
Ndërkaq, Rektori Vataj gjatë ditës së hënë ka takuar Rektorin e Universitetit Konstanz në Gjermani, Prof. Dr. Ulrich Rüdiger, Prof. Dr. Silvia Mergenthal, Prorektore për marrëdhënie ndërkombëtare dhe zonjën Regina Sonntag-Krupp, udhëheqëse e zyrës për marrëdhënie ndërkombëtare.
Në takim është diskutuar mundësia e bashkëpunimit në mes të dy universiteteve në fushat akademike, shkëmbin e studentëve, profesorëve dhe ndihmën e këtij universiteti prestigjioz evropian për zhvillimin e mëtutjeshëm të Universitetit të dytë publik në vend, Universitetit të Prizrenit.
Vizita Rektorit Vataj në këto Universitete prestigjioze evropiane, është në kuadër të angazhimeve për afirmimin ndërkombëtar të Universitetit Ukshin Hoti në Prizren.
Objektiv i Rektorit Vataj është edhe avancimi i bashkëpunimit ndërkombëtar dhe mobiliteti i personelit të universitetit dhe studentëve. Rektori Vataj krahas konkretizimit të realizimit të marrëveshjeve të deritanishme me universitetet ndërkombëtare në regjion dhe më gjerë, synon edhe lidhjen e marrëveshjeve të reja të bashkëpunimit me universitetet e ndryshme evropiane.