USAID nis programin e lidershipit transformues
Prishtinë, 5 qershor - Drejtoresha e Misionit të USAID-it, Maureen A. Shauket se bashku me Presidentin e Universitetit Amerikan në Kosovë (AUK), Winfred L. Thompson, do të nisin komponentën e re të Programit të Lidershipit Transformues të USAID-it.
Programi i Lidershipit Transformues i USAID-it synon të zhvillojë kuadro të liderëve të cilët do tu prijnë ndryshimeve domethënëse në Kosovë në fushat prioritare të zhvillimit ekonomik, politik, dhe shoqëror.
Kjo do të arrihet përmes bursave të arsimit të lartë, çertifikimeve profesionale, kryerjeve të stazhit të praktikantit/es, këmbimeve dhe partneriteteve në mes të universiteteve kosovare dhe atyre amerikane.
Komponenta e Nxitjes së Trajnimeve dhe e Kurseve të Shërbimit Publik e Programit të Lidershipit Transformues është dizajnuar për të ngritur nivelin e kapitalit njerëzor dhe talentit ekzistues përmes ofrimit të klasëve trajnuese në të menduarit kritik/zgjidhje të problemeve, hulumtim, gjuhë angleze dhe shkathtësi të tjera përgatitore për studime në mënyrë që tu ndihmohet atyre kosovarëve të cilët nuk kanë patur qasje në programe universitare të forta por që megjithatë shihen si kandidatë të ardhshëm premtues për universitete dhe studime të nivelit master.
Universiteti Amerikan në Kosovë do të zbatojë programin e trajnimit në të shtatë rajonet e Kosovës, me qëllim që tu shërbejë rreth 1,200 studentëve gjatë pesë viteve të ardhshme. Procesi i aplikimit për raundin e parë të pjesmarrësve do të fillojë më 5 qershor dhe do të vazhdojë deri më 20 qershor.
Agjencia e Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID) ofron asistencë ekonomike dhe humanitare anembanë botës për më shumë se 50 vjet. Këtë vit USAID-i shënon 15-vjetorin e partneritetit për ndryshime pozitive në Kosovë.