USAID lanson programin e bursave për lidership transformues
Prishtinë, 21 gusht - USAID-i sot do ta lansojë komponentin për certifikim profesional të Programit të bursave dhe partneriteteve për lidership transformues.
Ky takim sjell së bashku partnerët dhe aktorët e Programit të bursave dhe partneriteteve për lidership transformues, përfaqësuesit e sektorit privat dhe publik, dhe aplikuesit potencial për bursë për programet për certifikim.
Kandidatët potencial për bursë do e kenë mundësinë për të shtruar pyetje dhe për të marrë informata të dorës së parë.
Programet për certifikim në ShBA janë programe afatshkurtra arsimore të dizajnuara për t\'i pajisur profesionistët e punësuar me aftësi të avancuara në fushën e specializimit.
Të gjitha programet e certifikimit mbahen në gjuhën angleze dhe zakonisht ofrohen nga universitetet apo institucionet tjera të arsimit të lartë. Programet e certifikimit kanë kohëzgjatje të ndryshme, duke filluar prej atyre disa javore e gjer tek studimet e plota semestrale.
Programi i bursave dhe partneriteteve për lidership transformues është program i ri i cili ofron mundësi për arsimim qindra liderëve të rinj të Kosovës dhe synon begatimin e praktikave të Kosovës në arsimin e lartë përmes partneriteteve kyçe me universitetet e ShBA-së.
Programi do të sigurojë 185 bursa për magjistraturë në ShBA dhe 160 bursa për programet e certifikimit profesional.
Agjencia e ShBA-së për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID) për mbi 50 vite ka ofruar ndihmë ekonomike dhe humanitare anekënd botës. USAID-i këtë vit shënon 15 vjetorin e partneritetit për të sjellë ndryshime pozitive në Kosovë.