USAID jep 50 bursa për studime në SHBA
Prishtinë, 16 janar - Rektori i Universiteti i Prishtinës Hasan Prishtina, Ibrahim Gashi, priti në një takim përfaqësues të Misionit të USAID-it në Kosovë, Cecilia Sun dhe Scott S.Cameron.
Në këtë takim rektori Gashi dhe përfaqësuesit e USAID-it biseduan për bashkëpunimin e UP-së dhe USAID-it në organizimin e ditëve informuese të komunitetit studentor për studime master në SHBA, komponent kjo e programit të përbashkët të financuar nga Qeveria Amerikane dhe Qeveria e Kosovës.
Ky program përfshin dhënien e 50 bursave për këtë vit për studime të nivelit master në SHBA, ndërsa deri në fund të 2019 për Kosovën do të ofrohen rreth 160 bursa të tilla, nga fushat e sundimit të ligjit, shkencave inxhinjerike, administratës publike, bujqësisë, menaxhimit të ndërmarrjeve, financave, ekonomisë, sistemeve informatike, edukimit, studimeve gjinore dhe studimeve ndërdisiplinore
Rektori Gashi falënderoi Qeverinë dhe popullin e Amerikës që përmes USAID-it vazhdon të japë një kontribut të jashtëzakonshëm për zhvillimin e arsimit të lartë, dhe premtori se UP do të mbështesë USAID-in në realizimin e sesioneve informuese nëpër njësitë akademike dhe përmes uebfaqës së universitetit.