UPZ arrin marrëveshje bashkëpunimi me Universitetin e Camerinos në Itali
Prizren, 30 tetor - Me ftesë të Universitetit të Camerinos ,,UNICAM’’, Prorektori për mësimdhënie, çështje të studentëve dhe kërkime shkencore në UPZ, Prof.Ass.Dr. Shemsi Morina së bashku me Prof.Ass.Dr. Faruk Bojaxhi realizuan një vizitë në ambientet e këtij Universiteti, ku nënshkruan edhe një Marrëveshje Bashkëpunimi ndërmjet këtyre dy institucioneve.
Të njëjtit u priten nga Rektori i këtij Universiteti Profesor Claudio Pettinari si dhe nga Koordinatori për çështje studimore për vendet e treta Profesor Emanuele Tondi.
Palët u morën vesh që në të ardhmen të realizojnë projekte të përbashkëta me qëllim të ngritjes së nivelit të mësimdhënies dhe mësimnxënies për Profesorët dhe studentët e të dyja Universiteteve.
Marrëveshja konsiston në shkëmbimin e studentëve dhe të profesorëve nga njëri Universitet tek tjetri, përfitimi i bursave për studentët kosovar për të qenë pjesë e studimeve në Universitetin e Camerionos, pjesëmarrja e profesorëve të UUHP-së në seminare, konferenca dhe evenimente të realizuara nga ky Universitet.
Po ashtu ranë dakord që të aplikojnë për një program të përbashkët Master në Shkencat e Jetës dhe Mjedisit, duke ndjekur modelin ''Dopio Laura”, apo “Diplomë e dyfishtë’’ ku studentët që do të diplomohen nga ky program, do të kenë mundësin të pajisen me dy diploma, nga dy Universitete nënshkruese të marrëveshjes.
Po ashtu u morën vesh që të shtohen aktivitetet për të aplikuar për një program Doktorature për Fakultetin Shkencave Kompjuterike.
Vlen të theksohet se Universiteti i Camerinos, është nder më të famshmit në Itali, i krijuar që nga viti 1336.
Po ashtu i njëjti delegacion takuan edhe studentët kosovar të cilët tashmë janë pjesë e fakulteteve të ndryshme të këtij Universiteti. Gjithsejtë 14 studentë ishin përfitues të bursave, ku 10 nga ta vazhdonin nivelin Baçelor dhe 4 studentë ishin duke ndjekur studimet në nivelin Master.
Një falënderim i veçantë shkon edhe për zonjën Ariana Kosova, z.Gëzim Gashi si dhe z.Met Zogaj (mërgimtarë në këtë provincë), të cilët për 3 ditë me radhë shoqëruan delegacionin tonë në përmbushjen e kësaj agjende.