16 Nëntor 2024

UP shpenzon rreth 2.3 milion euro në vit honorare shtesë për stafin akademik

Prishtinë, 25 tetor - Organizata për Rritjen e Cilësisë në Arsim (ORCA) ka analizuar përdorimin e financave për të paguar stafin akademik nga Universiteti i Prishtinës.

Në analizën e publikuar për honoraret shtesë të stafit akademik dhe angazhimin e bashkëpunëtorëve të jashtëm ORCA ka gjetur se rreth 2.3 milion euro shpenzohen për honorare shtesë për stafin akademik të Universitetit të Prishtinës.

Ndërkaq rreth 1 milion Euro shpenzohen për angazhimin e bashkëpunëtorëve të jashtëm me kontrata mbi vepër.

Për pagesa të honorareve shtesë për stafin akademik, të planifikuara në 2017-2018 për semestrin dimëror, UP-ja ka harxhuar 1,217,644 euro. Ndërkohë që për bashkëpunëtorë të jashtëm ka harxhuar 557,027 euro.

Për pagesa të honorareve shtesë për stafin akademik, të planifikuara në 2017-2018 për semestrin veror, UP-ja ka harxhuar 1,114,416 euro. Ndërsa për bashkëpunëtorë të jashtëm 479,240 euro.

Marrë ndaras, gjatë vitit akademik 2017-2018 UP-ja ka shpenzuar 2,333,060 euro për honorare shtesë për stafin akademik. Ndërsa për të njëjtin vit akademik, për bashkëpunëtorë të jashtëm ka shpenzuar 1,036,265.

Në total del se UP-ja gjatë vitit akademik ka shpenzuar 3,368,325 euro për honorare shtesë dhe bashkëpunëtorë të jashtëm.

Shpenzimet më të mëdha të honorareve shtesë brenda vitit akademik 2017–2018 i ka bërë Fakulteti i Mjekësisë – rreth 623 mijë euro, i pasuar nga Departamenti i Arteve Muzikore në kuadër të Fakultetit të Arteve – rreth 293 mijë euro, ndërkohë që i gjithë Fakulteti i Arteve kap shumën prej rreth 456 mijë eurosh.

Po ashtu, me shpenzimet për bashkëpunëtorë të jashtëm, gjatë vitit akademik 2017–2018, prin Fakulteti i Mjekësisë me rreth 244 mijë euro i pasuar nga Fakulteti i Bujqësisë dhe Veterinarisë me rreth 101 mijë euro.

Shpenzimet më të vogla të honorareve shtesë brenda vitit akademik 2017–2018 i ka bërë Fakulteti i Sporteve me rreth 49 mijë euro. Ndërkaq me shpenzimet më të vogla për bashkëpunëtorë të jashtëm është Fakulteti i Ndërtimtarisë dhe Arkitekturës me rreth 15 mijë euro.

Kostoja vjetore e një profesori asistent është 13,609,68 euro. Në një situatë hipotetike të menaxhimit ndryshe të fondeve ekzistuese që harxhohen për honorare shtesë dhe angazhime me kontrata mbi vepër, me 3.3 milionë euro, UP-ja do të mund të punësonte 247 profesorë asistentë, gjë që do të shënonte rritje prej 50% të stafit ekzistues akademik, i cili përbëhet prej diçka më shumë se 550 veta me tituj profesorialë (profesor asistent, profesor i asocuar, profesor i rregullt).

Ndërkohë Universiteti i Prishtinës nuk ka fond për shkencë dhe ka raportin profesor për student 1:46, dyfish më të lartë se vendet fqinje.

ORCA ka konstatuar se kjo përbën një keqmenaxhim dhe keqpërdorim të mjeteve financiare që pamundëson zhvillimin akademik të UP-së dhe rritjen e cilësisë në të.

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë zt. Shyqiri Bytyqi ka ofruar mbështetjen për Universitetin e Prishtinës për të marrë masat e nevojshme që të krijohen vende të reja për profesorët që kanë përfunduar studimet jashtë nëse një kërkesë e tillë vjen nga Universiteti.

Ndërkaq Kryesuesja e Bordit të Universiteti znj. Ardiana Bunjaku ka thënë se organet drejtuese të Universitetit janë në dijeni të gjendjes dhe se kanë propozuar një listë rekomandimesh të cilat do të fillojnë të zbatohen nga 1 nëntori për ta sanuar gjendjen aktuale. 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)