UP pranon donacion nga ish-ushtarja amerikane, Dr. Elaine Berkowitz
Me anë të këtij donacioni, të dedikuar për Departamentin e Stomatologjisë në Universitetin e Prishtinës, synohet të blihen pajisje, të cilat do t’u shërbejnë studentëve të këtij departamenti.
Mirënjohës për donacionin e dr. Berkowitz u shpreh rektori i UP-së, Naser Sahiti. Ai tha që UP-ja do të sigurohet që donacioni i dhuruar t’u shërbejë studentëve në përmirësimin e kushteve të tyre të studimit. Rektori Sahiti i falënderoi të gjithë ata që ndihmuan në realizimin e këtij bashkëpunimi, si dhe e ftoi dr. Berkowitz ta vizitojë UP-në.
Në emër të dhurueses së donacionit foli profesoresha e Fakultetit të Mjekësisë, Teuta Bicaj. “Kosova për mua është si shtëpi e dytë. Qysh nga ditët e mia të para në Kampin e Bondsteel-it, mund të them që jam e dashuruar me Kosovën – me njerëzit, kulturën, vendin dhe ushqimin,” theksoi profesoresha Bicaj fjalët nga letra e dr. Berkowitz. Ish-ushtarja amerikane ka përmendur edhe ditët e kaluara në Departamentin e Stomatologjisë dhe shtoi që këtë donacion e dhuron në nderim të prof. dr. Agim Islamit, profesor i pensionuar i Fakultetit të Mjekësisë.
Donacionin e dhuruar e vlerësoi edhe dekanja e FM-së, Suzana Manxhuka – Kërliu, e cila shtoi që këto mjete do të shfrytëzohen për blerjen e gjashtë zmadhuesve binokularë që u nevojiten studentëve të degës së stomatologjisë.
Të pranishëm në këtë takim ishin edhe profesor Agim Islami, për nder të të cilit është dhuruar ky donacion, Arbnor Mjeku nga Germin, përfaqësues i Mark Kosmo, kryesues i Bordit Drejtues të Global Albanians Foundation, si dhe Lekë Rezniqi, përfaqësues i miqësisë Kosovë – Izrael.