UP pranon 10 854 studentë të ri
Prishtinë, 21 qershor - Universiteti i Prishtinës Hasan Prishtina për vitin e ri akademik 2014-15 parasheh ti pranojë 10 mijë e 854 studentë. Duke u mbështetur në kapacitetet që kanë njësitë akademike të UP-së, Senati i këtij universiteti e ka miratuar këtë numër dhe ia ka dërguar Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MASHT) për miratim.
Konkursi për pranimin e studentëve të ri pritet të shpallet pas datës 7 korrik, kur edhe publikohen rezultatet e Provimit Shtetëror të Maturës. Ushtruesi i detyrës së prorektorit për mësim dhe çështje të studentëve në Universitetin e Prishtinës, Qerim Qerimi, ka thënë se të gjitha propozimet e njësive akademike për numrin e studentëve që do të pranohen këtë vit janë miratuar nga Senati, më pas i janë përcjellë Ministrisë së Arsimit për miratim.
Numri i përgjithshëm i studentëve që Universiteti i Prishtinës ka propozuar është 10 mijë e 854 për të gjitha njësitë akademike që ka universiteti. Në përcaktimin e propozimit ekzistues njësitë akademike kanë marrë parasysh infrastrukturën e tyre, mundësitë hapësinore, ekzistencën e personelit akademik. Ne kemi pasur në konsideratë mundësitë që kanë të gjitha njësitë akademike, ka thënë Qerimi për Epokën e re.
E Ministria e Arsimit është ajo që do të vendosë sa iu përket kuotave të studentëve që duhet të pranohen në Universitetin e Prishtinës dhe universitetet e tjera publike.
Ky numër që ka propozuar Universiteti i Prishtinës mund të rritet nëse Ministria e shikon të arsyeshme, pasi sivjet Provimit të Maturës i janë nënshtruar rreth 46 mijë maturantë nga dy gjenerata. Por, rritja e numrit të studentëve, sipas Qerimit, mund të ndikojë në cilësinë e studimeve.
\"Sigurisht se rritja e numrit mund të ketë implikime për dimensione të tjera të rëndësishme siç është cilësia. Ne mund të pranojmë numër të madh e të organizojmë mësimin në klasë me mbase qindra studentë, por pyetja është se në rast se me këtë staf që kemi dhe hapësirën që posedojmë mund ta garantojmë cilësinë e dëshiruar, ka theksuar ai.
Sipas pasqyrës që kanë propozuar njësitë akademike, edhe këtë vit parashihet që numri më i madh i studentëve të pranohet në Fakultetin Ekonomik dhe Juridik.
Në Qendrën në Prishtinë Fakulteti Ekonomik ka propozuar të pranohen rreth 2 mijë studentë, ndërsa në Qendrën në Mitrovicë është propozuar të pranohen 400 studentë. Pas Ekonomikut, Fakulteti Juridik ka propozuar ti pranojë 1 mijë e 800 studentë.