UP nënshkruan memorandum me Forumin për Udhëheqje dhe Diplomaci
Prishtinë, 8 qershor - Forumi për Lidership dhe Diplomaci dhe Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina”, nënshkruan memorandum mirëkuptimi me qëllim të promovimit të bashkëpunimit edukativo-kulturor në fushën e arsimit, duke u ofruar studentëve mundësi për pjesëmarrje në trajnime për lidership për ngritjen e mëtutjeshme profesionale me anë të aktiviteteve të edukimit joformal.
Krahas mundësive për pjesëmarrje në trajnime për studentët e të gjitha njësive akademike të UP-së, znj. Njomza Emini, Drejtore Ekzekutive e Forumit për Lidership dhe Diplomaci, si dhe Rektori i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, u dakorduan për ofrimin e mundesisë së punës praktike me pagesë për studente e UP-së, varësisht nga zhvillimi i programit dhe mundësive të forumit në vazhdim.
Pas nënshkrimit të memorandumit, Znj. Emini deklaroi se: “Nënshkrimi i këtij memorandumi dëshmon përkushtimin e Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” për mbështetjen e grave lidere dhe ofrimin e mundësive për ngritje të mëtutjeshme profesionale. Takimet e mëhershme me rektorin u materializuan sot përmes këtij memorandum që do hap edhe një horizont të ri për studentet”.
Ndërsa, z. Marjan Demaj, Rektori i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, deklaroi: “Të gjithë e dimë se bota ka mungesë të madhe të lidershipit e në veçanti Kosova, por në kuadër të saj na mungojnë gratë lidere, prandaj unë mendoj se ky projekt do ta plotësoj këtë boshllëk. Njëkohësisht do ta fuqizoj Qendrën për Zhvillimin e Karrierës e cila është duke bërë një punë shumë të madhe për t’iu ofruar ndihmë studenteve që njohuritë e tyre t’i avancojnë që nesër të jenë lidere”.
Nënshkrimi i këtij memorandumi është në kuadër të bashkëpunimit me institucione dhe misione ndërkombëtare, gjatë realizimit të Projektit “Akademia për Lidership“, duke u mundësuar vajzave dhe grave përmes aktiviteteve të ndryshme të ngriten profesionalisht dhe të shtojnë pjesëmarrjen e tyre në vendimmarrje.