UP ndihmon qeverinë në përkthimin e legjislacionit të BE-së
Prishtinë, 13 mars - Sot, Ministri Çollaku takoi Rektorin e Universitetit të Prishtinës, Ramadan Zejnullahu me rastin e nënshkrimit të Marrëveshjës së Bashkëpunimit ndërmjet Ministrisë së Integrimit Evropian dhe Universitetit të Prishtinës, në fushën e përkthimit të legjislacionit të Bashkimit Evropian.
Gjatë procesit të anëtarësimit në BE, Kosova do të jetë e obliguar të përkthejë rreth 200,000 faqe të legjislacionit të BE-së në gjuhët zyrtare të Republikës së Kosovës.
Në këtë drejtim, Marrëveshje Bashkëpunimi parasheh themelimin e bashkëpunimit ndërmjet institucioneve përmes:
- Trajnimit të stafit dhe të studentëve në përdorimin e sistemeve softuerike për përkthim, të degës Master për Përkthim, të Fakultetit Filologjik;
- Pranimin e studentëve për kryerjen e praktikës brenda Divizionit të Përkthimit dhe Terminologjisë së Acquis, në Ministrinë e Integrimit Evropian; si dhe
- Bashkëpunimit në fushën e krijimit të databazës së terminologjisë për përkthim duke përdorur fjalorë dhe glosarë të ndryshëm.
Gjatë takimit, Ministri Çollaku dhe Rektori Zejnullahu diskutuan rreth procesit të anëtarësimit të Kosovës në BE dhe zhvillimet më të fundit në Universitetin e Prishtinës.