UP kërkon 7546 studentë, konkurrojnë 15 mijë maturantë
Prishtinë, 14 korrik - Mbi 2000 të rinj kosovarë kanë aplikuar për studim vetëm në Fakultetin e Edukimit të Universitetit të Prishtinës (UP). Ky fakultet ka lënë pas shumë njësi të tjera akademike për nga interesimi që maturantët kosovarë kanë shprehur të studiojnë në të.
Mbi 23 mijë maturantë kanë pasur të drejtën e aplikimit në Universitetin e Prishtinës (UP) Hasan Prishtina, përderisa do të pranohen 7546 studentë, në Universitetin e Prizrenit Ukshin Hoti 1330 studentë, si dhe Universitetin e Gjilanit Haxhi Zeka 1504 studentë, shkruan Zëri.
Universitetet publike do të regjistrojnë dhe studentë të rregullt, që i takojnë familjes së ngushtë të dëshmorëve (anëtarë të familjes së ngushtë të dëshmorëve janë: bashkëshorti, bashkëshortja, fëmijët).
Ndërsa, nga numri i përgjithshëm i përcaktuar, sipas Udhëzimit të Ministrisë së Arsimit, do të regjistrohen deri në 12 për qind studentë të rregullt nga komuniteti joshumicë në secilin universitet publik, të cilët do të shpërndahen në mënyrë proporcionale, sipas përqindjes së numrit të përgjithshëm të studentëve, për secilin departament apo program të fakulteteve veç e veç.
Sivjet në mënyrë të veçantë do të trajtohen edhe kandidatët me nevoja të veçanta.
UP-ja ka deklaruar se mbi bazën e konsideratave humane rezervon të drejtën e pranimit të kandidatëve me nevoja të veçanta. Ky Universitet ka ndarë kuota dhe për të rinjtë nga Lugina e Preshevës, Mali i Zi, Maqedonia dhe Shqipëria, që do të jetë pesë për qind e numrit të përgjithshëm të përcaktuar./Zëri