29 Dhjetor 2024

UP-ja organizon konferencë ndërkombëtare studentore

Prishtinë, 23 shkurt - Konferenca Ndërkombëtare Stundentore e Universitetit të Prishtinës, e njohur si UPISC’16 – shkurtesë nga University of Prishtina International Student Conference 2016 – është ngjarja studentore e parë e këtij lloji në këtë format, e cila organizohet nga studentët e Universitetit të Prishtinës, përkatësisht Fakulteteve Ekonomik dhe Juridik.

Ideja për këtë konferencë vjen si rezultat i përvojës së disa studentëve në konferenca studentore të ngjashme jashtë vendit dhe të disa të tjerëve në projekte të ndryshme, ngase rinia, në veçanti studentët, kanë nevojë të kenë më shumë qasje në mënyrën se si organizohen ngjarje të tilla dhe të mësohen me pjesëmarrje në aktivitete të tilla.

Qëllimi i konferencës është sjellja e ideve nga mbarë universitetet e botës për diskutime në Prishtinë, afirmimi i sistemit të lartë të arsimit të Kosovës, posaqërisht ngritja e vetëdijes mbi rolin dhe rëndësinë e përgatitjes akademike të studentëve për nivele më të larta të karrierës së tyre.

Këtë vit, në edicionin e saj të parë, UPISC’16 do të trajtojë çështje kryesisht të natyrës ekonomike dhe juridike, lidhur me temën kryesore “Globalizimi: Ndikimi në Tregti, Ekonomi dhe Ligj”.

Të drejtë pjesëmarrje kanë të gjithë studentët e universiteteve publike dhe atyre private brenda dhe jashtë Kosovës, duke përfshirë këtu të posadiplomuarit e nivelit Bachelor dhe Master.

Aplikimi bëhet duke përgatitur një abstrakt të punimit të tërësishëm, të strukturuar sipas udhëzimeve specifike të kërkuara në shembujt e përgatitjes së abstraktit, përkatësisht punimit, të cilët mund të sigurohen pasi që kandidatët të shprehin interesimin e tyre për pjesëmarrje në konferencë duke shkruar në [email protected]. Afati i fundit për dërgimin e abstrakteve është 1 mars 2016.

Përzgjedhja do të bëhet nga Këshilli Shkencor i përbërë nga profesorët e të dyja fakulteteve, dhe pas përzgjedhjes do të vazhdohet me procedurat e tjera të dërgimit të punimeve të plota dhe përgatitjeve për mbajtjen e konferencës.

Konferenca parashihet të mbahet në datat 3 dhe 4 maj 2016, kurse një ditë më herët arritja e pjesëmarrësve. Pastaj me datën 5 maj do të organizohet një debat gjithpërfshirës me studentë të të gjitha universiteteve publike dhe kolegjeve private të Kosovës, me temë diskutimi “Si organizohen studentët”, kurse në ditën pas kësaj parashihet një udhëtim me karakter argëtues në disa nga destinacionet turistike të Kosovës. Me datën 7 maj bëhet nisja e pjesëmarrësve.

Për të marrë pjesë në konferencë, nuk aplikohet ndonjë tarifë pjesëmarrjeje, dhe po ashtu akomodimi në konviktet studentore si dhe ushqimi në menzën e Qendrës Studentore bashkë me transportin e pjesëmarrësve ndërkombëtar nga aeroporti dhe për në aeroport do të jenë të mbuluara nga sponzorët e konferencës.

Konferenca mbështetet ekskluzivisht nga Rektorati i Universitetit të Prishtinës, përkatësisht ish-rektori Prof. Dr. Ramadan Zejnullahu si dhe sponzorë të jashtëm.


Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)