UP-ja nënshkruan marrëveshje me Agjencinë për Barazi Gjinore
Qëllimi kryesor i këtij memorandumi është bashkëpunimi i dy institucioneve nënshkruese në projekte edukative, që kanë të bëjnë me barazinë gjinore, në ndërtim të kapaciteteve dhe bashkëpunim në fushën e ndryshim/plotësimit të kurrikulës akademike të Fakultetit Ekonomik në sferën e ekonomisë për barazinë gjinore konform standardeve vendore dhe ndërkombëtare.
Procesi i vendosjes së marrëveshjes së bashkëpunimit, përkthimit të tekstit universitar dhe ofrimit të ekspertizës ndërkombëtare për vendosjen e lëndës, financohet nga Ambasada Suedeze – SIDA, përmes ndihmës direkte financiare për Agjencinë, si dhe projektit mbështetës NIRAS –CPM .
Rektori Dema tha që ka kohë që ka qenë i interesuar që UP-ja të këtë një memorandum bashkëpunimi me Agjencinë për Barazi Gjinore, i cili do t’iu shërbente fillimisht studentëve, e pastaj gjithë shoqërisë, ashtu siç synon ky memorandum. Ai u shpreh i lumtur për arritjen e këtij bashkëpunimi dhe shumë entuziast për rezultatin që futja e kësaj lende nga fusha e barazisë gjinore në planprogramin mësimor, do të sjellë tek studentët e UP-së.
Përveç rektorit Dema dhe znj. Gusia, të pranishëm në nënshkrimin e këtij memorandumi ishin: prorektorja për buxhet dhe financa, prof. dr. Myrvete Badivuku–Pantina, prorektori për mësimdhënie dhe çështje të studentëve, prof. dr. Hysen Bytyqi, prorektori për bashkëpunim ndërkombëtar, prof. dr. Dashamir Berxulli, dekani i Fakultetit Ekonomik, prof. asoc. dr. But Dedaj, profesoresha Ardiana Gashi, znj. Shpresa Zariqi nga Agjencia për Barazi Gjinore, znj. Visare Gorani-Gashi nga SIDA, si dhe znj. Blerinda Idrizi - udhëheqëse e projektit të financuar nga SIDA.
Me anë të nënshkrimit të sotëm të këtij memorandumi, kurrikulës së Fakultetit Ekonomik do t’i shtohet lënda me perspektivë gjinore “Ekonomiksi Gjinor”, e cila njëherësh do të jetë lënda e parë në Ballkan që do të futet në nivel akademik.