UP i kërkon ndihmë Inspektoratit rreth avancimit të profesorëve
Prishtinë, 6 maj - Rektorati i Universitetit të Prishtinës i ka kërkuar ndihmë Inspektoratit të Punës rreth konkursit për zgjedhjen dhe avancimin e profesorëve në grada akademike, i cili u bë sebep i përplasjeve të mëdha që ndodhën midis ish-menaxhmetit të UP-së dhe Senatit, vitin e kaluar.
Burime të Kohës Ditore, brenda UP-së, kanë bërë të ditur se menaxhmenti i ri i Universitetit, që kryesohet nga rektori Marjan Dema, i ka drejtuar Inspektoratit të Punës një shkresë përmes së cilës kërkohet përgjigjja nëse Rektorati ka bazë ligjore për të anuluar tërësisht konkursin e janarit të viti 2015 për avancimin e profesorëve.
Kryeinspektori i Punës, Basri Ibrahimi, e ka pranuar marrjen e letrës, por ka thënë se ende nuk e kanë gati përgjigjen për Rektoratin. Kërkesa u është drejtuar të hënën.
Prorektori dhe njëherësh zëdhënës i Universitetit, Afrim Hoti, ka thënë se Rektorati pritet që së shpejti të marrë një vendim rreth çështjes së konkursit për avancimet e stafit akademik, nëse do të shkohet me konkursin e vitit të kaluar, apo ai do të anulohet dhe do të shpallet një konkurs i ri.
/Koha Ditore/