UP: Do të jemi të hapur për gjithçka
Prishtinë, 13 dhjetor - Ngjarja e fundit në Universitetin e Prishtinës sigurisht se i kanë vënë hije të keqe këtij institucioni të arsimit të lartë, edhe pse veprimet e pretenduara janë kryer në një kohë kur ne nuk kemi qenë pjesë e menaxhmentit të këtij institucioni, thuhet në njoftimin e UP-së.
Universiteti i Prishtinës do të jetë i hapur dhe bashkëpunues me organet e rendit dhe të ligjit, si dhe do ta ofrojë gjithë ndihmën e kërkuar dhe do të vazhdojmë të jemi të vendosur në zbardhjen e këtij dhe rasteve të tjera eventuale që mund të dalin.
Ne do të donim që këto veprime të pretenduara të mos ishin të vërteta, por, nëse vërtetohet se ato janë të tilla, ne ju sigurojmë se Universiteti i Prishtinës do ti ndërmarrë masat e duhura në përputhje me aktet normative dhe me Kodin e Etikës në fuqi.
Pa pretendimin që ta hedhim fajin te dikush tjetër, duhet ta njoftojmë opinionin publik se ne si menaxhment nuk e kemi gjetur në gjendje të mirë UP-në. Prej marrjes së mandatit, më 1 tetor 2012, e kemi filluar një proces, jo të lehtë, të normalizimit të gjendjes në UP. Jua kujtojmë procesin e shlyerjes së borxheve të trashëguara, ndërprerjen e kontratave të dyfishta, respektimin e kritereve dhe rritjen e kontrollit në procesin e regjistrimit të studentëve, shtimin e mbikëqyrjes së procesit mësimor dhe shumë veprime të tjera.
Por, e gjithë kjo nuk nënkupton se ne mund të jemi komodë për sukseset tona e të mos shohim se çfarë ka ndodhur në UP. Ngjarja e fundit po trajtohet me kujdesin dhe përgjegjësinë maksimale nga menaxhmenti i UP-së.