UP, bleu letër për diploma 8 herë më lirë se 1 vit më parë
Prishtinë, 20 mars - Këtë vit, letra e diplomave të studentëve që diplomojnë në Universitetin e Prishtinës, do të kushtojë shumë herë më lirë sesa në vitin paraprak. Një fakt të tillë e pohojnë edhe zyrtarë të Rektoratit.
Furnizimi me letër për diploma, Universitetit të Prishtinës sivjet i ka kushtuar dukshëm më lirë se herëve të kaluara. Për këtë shërbim, UP-ja këtë vit ka paguar tre mijë e tridhjetë e katër euro, çmim ky 8 herë më i ulët krahasuar me dy vitet e fundit, kur për të njëjtin furnizim UP është dashur të paguajë 30 mijë e 926 euro. Zyrtarë në Rektorat e konfirmojnë se këtë vit për një letër diplome kanë paguar vetëm 15 centë.
Kontraktuesi i më parshëm kontrata e së cilit ka skaduar në qershor të viti 2014, këtë lloj të letrës speciale për diploma e ka ofruar me këto kushte: 1 ris letre që përmban 20 fletë ka kushtuar 25.37 Euro. Në këtë rast, çmimi mesatar për një letër diplome del se ka qenë 1.26 Euro. Nëse krahasohet me çmimin që Universiteti i Prishtinës është furnizuar deri në qershor të vitit të kaluar del se letra e diplomës tani kushton 8.4 herë më lire, tha Arbnor Pajaziti, Prorektor për Financa.
RTK merr vesh se i njëjti operator, kontrata me të cilin ka skaduar në qershor të vitit të kaluar, ka ofertuar edhe sivjet, por tani me çmim shumë herë më të ulët. Një letër për diplomë kap çmimin 34 centë.
RTK kontaktoi pronarin e kompanisë paraprake i cili nëpërmjet telefonit foli për dallimin e çmimeve nga viti në vit. Sipas tij, ndryshimi vjen për shkak të lëvizjes në bursën ndërkombëtare.
Pa u lëshuar në komentime rreth çmimit të lartë që ishte në vitet e kaluara, prorektori për financa thotë se Universiteti Hasan Prishtina, mbetet i përkushtuar në shfrytëzimin racional të buxhetit të këtij institucioni të lartë arsimor.
Në mënyrë që mos të dëmtohen studentët, UP-ja për dallim prej viteve të kaluara, këtë herë është detyruar të shpallë tender të veçantë vetëm për letër të diplomave, pasi tenderi për furnizim me material harxhues është anuluar disa herë për shkak të ankesave të operatoreve ekonomikë.