Univerziteti i Ferizajt jo transparent dhe i dobët
Prishtinë, 4 shkurt - Organizata për Rritjen e Cilësisë në Arsim (ORCA) ka njoftuar se 61% e profesorëve të Universitetit të Shkencave të Aplikuara në Ferizaj nuk justifikojnë titujt e tyre akademikë, sa i përket kriterit të publikimeve shkencore.
Profesorët e këtij universiteti kanë publikuar 59 punime shkencore, apo 2.11 punime për kokë profesori.
ORCA bën të ditur se 57% e profesorëve nuk kanë të botuar asnjë punim shkencor në revista shkencor, si autor i parë ose korrespondent.
Për krahasim, 29% e profesorëve në Universitetin e Prishtinës nuk kanë asnjë punim të publikuar si autor i parë ose korrespondent.
"Hulumtimi mbi Universitetin e Shkencave të Aplikuara në Ferizaj (UShAF) ishte sfidues në vetvete, për arsye të mungesës së transparencës nga ky institucion."
"UShAF është i vetmi institucion publik i arsimit të lartë i cili nuk ka CV të stafit akademik të publikuar në uebfaqe zyrtare", thekson ORCA.
ORCA i është drejtuar UShAF me kërkesë për publikimin e CV-ve konform standardit të vendosur nga universitetet tjera publike. Kërkesa jonë nuk është shqyrtuar.
Në vijim i jemi drejtuar Ministrisë së Arsimit, e cila financon drejtpërdrejt këtë institucion të arsimit të lartë, të cilët pavarësisht shqetësimit të tyre lidhur me transparencën e UShAF nuk kanë arritur të realizojnë kërkesën tonë.
Hulumtimi është bazuar në platforma publike të produktit shkencor të profesorëve të këtij universiteti.
Hulumtimi mbi integritetin akademik dhe publikimin shkencor në Universitetin e Shkencave të Aplikuara në Ferizaj shënon fundin e ciklit të parë të hulumtimeve mbi integritetin akademik dhe publikimin shkencor në të gjitha universitetet publike, në kuadër të projektit QAINT.