Universiteti vend i dijes, jo çerdhe e klientelizmit
Prishtinë, 4 dhjetor - Protestat e organizatave të kategorive të dala nga lufta e UÇK-së nuk kanë kauzë sepse kërkesat e tyre janë të padrejta. Ato nuk i shërbejnë Universitetit, studentëve në ardhje dhe as vetë të rinjve që vijnë nga këto kategori.
Lëvizja Studentore për Barazi Studim Kritikë Veprim shpreh shqetësimin për keqpërdorimin e luftës çlirimtare për qëllime përfitimesh, duke e dëmtuar vetë burimin e rezistencës, Universitetin e Prishtinës. Për më tepër, këto protesta po e zhvlerësojnë edhe vetë protestën duke e shndërruar atë në instrument të thjeshtë presioni për të realizuar qëllime klienteliste.
Presionin e udhëheqësve të organizatave të kategorive të dala nga lufta e UÇK-së për pranim me automatizëm në Universitet të të gjithë fëmijëve të dëshmorëve, invalidëve të luftës dhe veteranëve të UÇK-së, po e ndihmon në mënyrë perfide edhe Qeveria e Kosovës përmes vendimit të ministrit Buja, dhe deklaratave të balancuara të kryeministrit Thaçi në anën tjetër.
\"Ne duam të theksojmë se kjo mënyrë e trajtimit nuk u shërben këtyre studentëve në ardhje sepse i pasivizon ata dhe ua humb motivin për dije. Ne jemi të vetëdijshëm se fëmijët e dëshmorëve nuk janë rritur në kushte të njëjta me fëmijët e tjerë.\"
\"Duke pasur parasysh ndikimin dhe rolin që ka në shoqërinë tonë sa i përket edukimit të fëmijëve, prindi e familja, mendojmë se këta fëmijë kanë mungesë përkujdesjeje dhe duhet ndihmuar. Por, në vend të pranimit me automatizëm, duhet përgatur programe shtesë për aftësimin e tyre, apo edhe pikët bonus pasi të kenë kaluar kriterin minimal\", thekson Lëvizja Studentore për Barazi Studim Kritikë Veprim .
Përveçse të padrejta, këto kërkesa janë në kundërshtim me ligjet dhe Memorandumin e Bashkëpunimit midis Universitetit dhe OVL të UÇK-së. Neni 12, pika 2.3 e Ligjit për Arsimin e Lartë u jep të drejtë organeve të Universitetit dhe askujt tjetër për të vendosur lidhur me kriteret e pranimit të studentëve.
\"Së këndejmi, këto kërkesa dhe vendimi i ministrit Buja përbëjnë shkelje direkte të autonomisë së Universitetit. Për më tepër, kërkesat në fjalë përbëjnë shkelje edhe të vetë ligjeve që rregullojnë statusin e kategorive të dala nga lufta.\"
\"Në këto ligje flitet për përparësinë që duhet gëzuar këta të rinj, por kurrsesi përpranim direkt pavarësisht kritereve të konkursit. Ndërkaq, Memorandumi i Bashkëpunimit të nënshkruar midis Universitetit dhe organizatave që përfaqësojnë kategoritë e dala nga lufta përmendet ndihma që duhet dhënë këtyre kategorive, por jo listat e veçanta për pranim\", thekson me tutje Lëvizja Studentore për Barazi Studim Kritikë Veprim .