Universiteti Publik i Pejës shënon dy vjetorin e themelimit
Prishtinë, 14 nëntor - Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Ramë Buja mori pjesë sot në ceremoninë solemne për nder të dy vjetorit të themelimit, të Universitetit Publik të Pejës Haxhi Zeka.
Ministri Buja në fjalën e tij të rastit theksoi se, nënshkrimi i vendimit për themelimin e këtij universiteti është nga vendimet më të rëndësishme në mandatit të tij.
Ministri Buja tha se, bërja e qytetit të Pejës me universitet ka edhe rëndësinë e tij ekonomike, duke pasur parasysh faktin se në këtë mënyrë shkurtohen shpenzimet buxhetore të familjeve.
Duke uruar që ky institucion të jetojë gjatë dhe të përmbush me sukses misionin e tij për përgatitjen e gjeneratave të reja, ministri Buja tha se ndjehet tejet i kënaqur në këtë ambient, në të cilin është duke u punuar shumë dhe sukseset janë të dukshme.
Ministri Buja uroi studentët, stafin akademik dhe administrativ që të jenë të përkushtuar në detyrat e tyre, në mënyrë që kjo qendër universitare të jetë shembull për universitetet tjera.
Ndërkaq, rektori i Universitetit Publik të Pejës Haxhi Zeka, Naser Mrasori shprehu përkushtimin e tij për suksese të mëtejshme, duke u zotuar se marrëveshjet e nënshkruara me Universitetin e Prishtinës dhe universitete të tjera jashtë vendit do të zbatohen me përpikëri.
Mrasori bëri të ditur se, qëllimi i këtyre marrëveshjeve është bashkëpunimi akademik në të gjitha nivelet e studimeve universitare, shkëmbimi i stafit dhe zhvillimi i aktiviteteve kërkimore- shkencore.
Rektori i Universitetit të Prishtinës Hasan Prishtina, Ibrahim Gashi, nga ana e tij uroi që sukseset e Universitetit të Pejës të tejkalojnë ato të UP-së, pasi sipas tij vetëm në këtë mënyrë UP i gëzohet rrites së saj.