Universiteti “Kadri Zeka” në Gjilan ka shënuar 6 vjetorin e themelimit .
Gjilan, 8 mars - Në shënimin e 6 vjetorit të themelimit të Universitetit “Kadri Zeka” ne Gjilan, për shkak të aksidentit tragjik që ndodhi ditën e djeshme, fillimisht është mbajtur një minutë heshtje në shenjë respekti për familjen e të ndjerit.
Pikërisht për këtë nga programi i paraparë, janë anuluar pikat muzikore, derisa UKZ u ka dëshiruar shërim të shpejt të lënduarve në aksident.
Ndërkohë para të pranishmëve, Rektori Bajram Kosumi, shkurtimisht ka folur për historikun e këtij institucioni duke shpalosur kështu të arriturat, bashkëpunimet e realizuara deri më tani, si dhe për planet që kanë për qëllim rritjen e cilësisë në mësim. Rektori Bajram Kosumi, ka thënë se studentët dhe cilësia e studimit në UKZ është i vetmi motiv, i vetmi qëllim dhe e vetmja arsye pse jemi këtu, duke shtuar se universiteti është dera e një shoqërie.
Rektori Kosumi në fjalën e tij pos tjerash ka thënë se,” Një gjë mund të ju garantoj: falë punës së të gjithë juve, studentëve, menaxhmentit, të stafit akademik dhe të administratës, UKZ i ka përballuar dhe do t’i përballoj të gjitha vështirësitë”, duke shtuar se, “vetëm nëpër këto vështirësi ne e forcojmë autonominë tonë dhe cilësinë tonë, dy kushte të domosdoshme për një universitet të suksesshëm”, ka thënë Rektori Bajram Kosumi.
Universiteti “Kadri Zeka” do t’i bindë të gjithë, edhe ata skeptikët, që është në rrugën më të mirë për t’u bërë një universitet me vlera e cilësi të lartë. Rektori po ashtu falënderoi të gjithë përfaqësuesit e institucioneve publike dhe atyre private,stafin akademik dhe administrativ, studentët për mbështetjen e dhënë në zhvillim të këtij institucion.
Kurse Kryesuesi i Këshillit Drejtues EmrushThaqi, në fjalën e tij tha se si Këshill Drejtues do të mbështesim edhe më tutje Universitetin “Kadri Zeka” në realizmin e programeve akademike, në rritjen e cilësisë, dhe infrastrukturë, të bindur se nga ky institucion do të kemi kuadro të afta profesionalisht që padyshim do të ndikojnë edhe në perspektivën e zhvillimit ekonomik të vendit.
Ai po ashtu pathënë se këto 6 vite UKZ është konsoliduar dhe është drejtuar në një rrugëtim të mbarë por që ka shumë sfida të cilat duhet të tejkalohen me punë dhe përkushtim të madh.
UKZ është një universitet i ri dhe me një perspektivë evropiane, prandaj ne së bashku duhet të vendosim objektiva të qarta që UKZ të zhvillohet dhe të radhitet në listë të universiteteve me cilësi të larta dhe rezultate të shkëlqyera.
Kurse Adrian Bajrami, kryetar i Parlamentit Studentor, ka thënë se ndjehet moralisht i obliguar të falënderoj çdo student për kontributin e tyre të pakursyer në formësimin e Universitetit, të cilët gjithnjë ishin aty kur ishte interesi i universitetit sot e 6 vite më parë. Ai ka uruar menaxhmentin për punën e bërë dhe njëherësh këtë ditë ua ka dedikuar studentëve të cilët siç ka thënë Bajrami, janë promotorët kryesor.
Më pas Rektori Bajram Kosumi u ka ndarë “Diplomën Student i Dalluar” për nga një student me notën më të lartë mesatare në secilin fakultet të Universitetit “Kadri Zeka”. Ky është viti i tretë që ndahet Diploma Student i Dalluar.
Ne Fakultetin e Edukimit diplomë i është ndarë studentes Rina Aliu, ne Fakultetin Juridik studentes Verona Bekteshi, ne Fakultetit Ekonomik diploma studente e dalluar i është ndarë studentes Albulena Bugaqki dhe në Fakultetin e Shkencave Kompjuterike studentit Ilir Nuredini.
Me këtë rast Verona Bekteshi ka folur si përfaqësuese e studentëve të dalluar. Ajo ka thënë se diploma, student i dalluar, sadopak simbolike që të jetë e rrit motivin dhe dëshirën për të mësuar dhe po ashtu ndikonë në krijimin e qëllimeve për arritje të suksesit dhe nuk na lejojnë të ndalemi.
Verona ka falënderuar profesorët dhe gjithë stafin akademik për kontributin e dhënë, sepse,siç ka thënë ajo, janë ata te cilët përveç të gjitha obligimeve tjera, në supet e tyre e mbajnë edhe peshën e rëndë të përcjelljes së njohurive dhe rëndësinë e shkollimit e edukimit.
Studentja Verona Bekteshi ka thënë se , kualiteti i një Universiteti, matet me cilësinë e studentëve që i nxjerrë dhe progresin të cilin studentët e arrijnë gjatë viteve në studimeve dhe këtë sipas saj, universiteti ynë e ka dëshmuar në vazhdimësi se progresi është e vetmja rrugë që do e ndjekë.
Kurse për kontributin e dhënë në zhvillimin e Universitetit Publik “Kadri Zeka”,Rektori Bajram Kosumi u ka dhënë mirënjohje tre prorektorëve. Shpresë Qamili, Prorektore për Mësim, Kërkime Shkencore dhe Çështje të Studentëve, Naim Mustafa Prorektor për Buxhet dhe Financa dhe Dukagjin Leka Prorektor për Bashkëpunim Ndërkombëtar.
Në fjalën e saj Prorektorja Shpresë Qamili ka thënë se me 6 vitet e tij, me 6 vitet e nismës, të ecjes dhe të rritës së tij, Universiteti “Kadri Zeka” në Gjilan, tashmë ka krijuar një traditë të mirë, të fortë dhe të suksesshme të arsimit të lartë në rajonin e Anamoravës.
Sipas prorektores Qamili, 6 vjet të universitetit tonë, ndoshta edhe nuk janë vite që paraqesin një numër që do të duhej shquar në aspektin numerik, por ne arritjet në sferën e edukimit, i kemi zënë dhe i kemi tejkaluar të tjerët, sepse jemi përhapës cilësorë të rrezatimit kulturor, civilizues, arsimor e shkencor në Republikën e Kosovës.
Duke pasur parasysh të gjitha rrethanat, angazhimi i gjithë personelit, akademik dhe jo akademik, është në përputhje të plotë me vizionin dhe misionin e Universitetit
Po ashtu Rektori Bajram Kosumi, ka ndarë mirënjohje për kontributin e dhënë në zhvillimin e Universitetit Publik “Kadri Zeka”, për katër Dekanët. Januz Dërvodeli, Dekan i Fakultetit të Edukimit,Sadik Haxhiu, Dekan i Fakultetit Juridik, Gëzim Tosuni, Dekan i Fakultetit Ekonomik dhe Xhevdet Thaqi, Dekan i Fakultetit të Shkencave Kompjuterike.
Në fjalën e tij Dekani Januz Dervodeli ka thënë se Universiteti “Kadri Zeka”, me sukses po i konsolidon radhët e veta për të ngritë dhe aftësuar kuadrin për misionin e vet fisnik në edukimin e gjeneratave të reja.
Dekani Dervodeli ka thënë se këto 6 vite të funksionimit, konsiderohen vite të rritës dhe zhvillimit të Universitetit, vite kur nuk kanë munguar përpjekjet për ta rritur cilësinë në studime, për t’a kompletuar stafin akademik për fushat e pa mbuluara, për të siguruar literaturë të nevojshme për studentë por edhe për t’i freskuar vazhdimisht kurrikulat mësimore sipas trendëve bashkëkohore të një shoqërie demokratike.
Prandaj, sot,që jemi në prag të ditës së kremtimit të 6 vjetorit të themelimit të Universitetit publik ‘Kadri Zeka”, ka arsye të festojë, sepse po i kontribuon ngritjes së vetëdijes se “ shkolla dhe arsimi “ konsiderohen levë e fuqishme për ngritjen e vetëdijes kombëtare dhe rrugë e sigurt e prosperitetit të shtetit të Kosovës, ka thënë në fjalën e tij Dekani Dërvodeli.
Me rastin e pensionimit, për kontribut akademik në Fakultetin Juridik të Universitetit “Kadri Zeka”, Rektori i ka ndarë mirënjohje Prof. Ass. Dr. Feti Limani.
Ndërsa për kontributin e dhënë në zhvillimin e Universitetit Publik “Kadri Zeka”, Rektori Bajram Kosumi,i ka ndarë mirënjohje Sekretarit të Përgjithshëm Vaxhid Sadriu. Kurse për kontributin e dhënë në përfaqësimin studentor, Rektori Bajram Kosumi, i ka ndarë mirënjohje Adrian Bajrami, Kryetar i Parlamentit Studentor, derisa për kontributin e dhënë në zhvillimin e punës dhe administratës së Universitetit Rektori Bajram Kosumi i ka ndarë mirënjohje, Minire Rexhepi, Zyrtare për Informim dhe Protokol.
Në fjalën e tij, Sekretari Vaxhid Sadriu ka thënë se jam i nderuar dhe i priveligjuar që jam shpërblyer me këtë mirënjohje, duke thënë se ky është një nderë dhe obligim i veçante për të punuar edhe më shumë për të bërë një administratë më efektive.
Gjithashtu për nderë të 6 vjetorit të themelimit të UKZ-së, Studentët e Fakultetit të Edukimit nënë përkujdesjen e profesorit Ahmet Ibrahimi ne hollin e Universitetit, kanë hapur ekspozitë me vepra figurative.