Universiteti Kadri Zeka do ta ketë edhe kampusin e vet universitar
Gjilan, 31 mars - Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Ramë Buja, vizitoi Universitetin Publik Kadri Zeka në Gjilan, ku u takua me ushtruesin e detyrës së rektorit, Arben Dermaku dhe me stafin akademik të këtij universiteti, me të cilët bisedoi për shumë çështje të rëndësishme për punën në këtë Universitet.
Ministri Buja e vlerësoi punën që ka bërë menaxhmenti i këtij universiteti, duke shtuar se ky menaxhment ka bërë punë serioze, këmbëngulëse dhe të sigurt për të ecur drejt avancimit.
Jemi duke punuar në avancimin e Universitetit publik të Gjilanit, tha ministri Buja, ndërsa theksoi se ky universitet aktualisht ka kuadër akademik që i përgjigjet punës në këtë institucion të arsimit të lartë.
Ministri i Arsimit, po ashtu theksoi se, Universiteti Kadri Zeka do ta ketë edhe kampusin e vet universitar dhe ambiente joshëse për të studiuar, por tha se këto nuk do të mund të realizohen shumë shpejt.
Ministri Buja foli edhe për zgjedhjet që do të zhvillohen në Universitetin e Gjilanit. Ai përmendi se tashmë ky universitet është në fazën kur duhet të bëj plotësimin e stafit akademik, përmes zgjedhjeve të rregullta, të cilat do të organizohen në një kohë optimale.
Kjo vizitë u realizua në vazhdën e vizitave që ministri Buja po iu bën këtyre ditëve universiteteve të reja publike në vend, për të parë më afër punën që po bëhet në drejtim të avancimit të tyre.