Universiteti i Shkencave të Aplikuara në Ferizaj shënon 3 vjetorin e themelimit
Me këtë rast ministri Bajrami ka përgëzuar menaxhmentin e këtij Universiteti dhe studentët për sukseset e dëshmuara, që për një kohë të shkurtër bënë që ky Universitet , të konsiderohet si një nga institucionet më të mira të arsimit të lartë të vendit.
Para disa vitesh ne kishim një ëndërr, dhe kjo ëndërr u be realitet me themelimin e Universitetit të Ferizajt më të cilin sot ndjehemi krenar të gjithë . Resursi kryesor i vendit janë rinia për të cilën kemi detyrim të punojmë e krijojmë kushte të mira shkollimi, ndërsa modeli i këtij institucioni është model i vendeve të zhvilluara evropiane , ku ndërlidhet teoria me praktikën , tha ministri Bajrami .
Në vazhdim ministri Bajrami tha se, ndjehet mirë që pa nga afër punimet e shkëlqyeshme të këtij Universiteti, të cilat për temë kishin dizajnin e brendshëm të hapësirave të objekteve të biznesit, të institucioneve, të banimit e të tjera.
Me kreativitetin e prezantuar përmes këtyre punimeve, ju studentë të dashur edhe një herë po dëshmoni se jeni me talent të veçantë dhe se në të ardhmen çdo kompani e biznesit do të ketë kënaqësinë që ju të jeni pjesë e saj. E pse jo ju patjetër do të jeni të zotë të jeni lider të së ardhmes, të krijoni bizneset e juaja, të jeni menaxher të suksesshëm u shpreh ministri Bajrami.
Në vazhdim, ministri Bajrami tha se Universiteti i Shkencave të Aplikuara për specifikën që e ka , programet dhe hapësirën , nuk dallon aspak nga ato të vendeve evropiane dhe së shpejti do të ketë edhe programe për master dhe një ditë ky Universitet do të jetë gjenerator i zhvillimit ekonomik të qytetit të Ferizajt dhe Republikës së Kosovës.
Rektori i këtij Universiteti z . Agron Bajraktari , ka falënderuar ministrin Bajrami dhe Ministrinë e Arsimit, për mbështetjen që i ka dhënë këtij institucioni për themelimin dhe konsolidimin e tij .