Universiteti i Prizrenit, marrëveshje me Universitetin e Vlorës
Vlorë, 23 nëntor - Në prag të 101 vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, Universiteti Ukshin Hoti në Prizren, dhe Universiteti Ismail Qemali në Vlorë, kanë lidhur marrëveshje për bashkëpunim në fushat akademike.
Marrëveshja përkatëse është nënshkruar në Vlorë nga u. d. Rektori i UPZ-së, Prof. Dr. Zahadin Shemsedini dhe Rektori i UV-së, Prof. Dr. Albert Qarri.
Rektorët e të dy universiteteve e kanë vlerësuar lart arritjen e kësaj marrëveshje dhe janë zotuar se do të angazhohen që ajo shumë shpejt të realizohet në praktikë.
Universiteti ynë është angazhuar që të lidhë marrëveshje me universitet të ndryshme me qëllim të bashkëpunimit në fusha të ndryshme, të interesit të përbashkët. Marrëveshje që arritëm me Universitetin e Vlorës, është e një rëndësie të veçante duke marr parasysh edhe faktin që universitetet tona janë të vendosura në qytetet me një histori të veçanet të lavdishme."
"Do të punojmë me përkushtim që të konkretizojmë sa më parë bashkëpunimin, pasi që arritëm këtë marrëveshje, ka theksuar u. d. rektori i UPZ-së, duke falënderuar rektorin e Universitetit të Vlorës për angazhimin që kjo marrëveshje të arrihet.
Nga ana tjetër, Rektori i Universitetit Ismail Qemali, Prof. Dr. Albert Qarri, e ka vlerësuar lart arritjen e kësaj marrëveshje në mes të dy universiteteve dhe u zotua se do të mbështesin Universitetin Ukshin Hoti në qytetin historik të Prizren, me mundësitë dhe kapacitetet që kanë.
Universiteti Ismail Qemali i Vlorës u hap në 10 tetor 1994 me Vendim të Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë.
Në bazë të marrëveshjes së nënshkruar të dy universitetet do të zhvillojnë bashkëpunim akademik në fushën e arsimit, kërkimit dhe të fushave të tjera që janë në interes të të dyja palëve.
Bashkëpunimi do të realizohet mbi bazën e shkëmbimit reciprok të anëtarëve të fakulteteve, asistentëve dhe studentëve, dhe gjithashtu nëpërmjet shkëmbimit të informacionit arsimor dhe akademik.
Bashkëpunimet e mbështetura në këtë marrëveshje do të përcaktohen në detaje në protokolle të veçanta të cilat do të firmosën pasi fakultetet brenda universiteteve të kenë përcaktuar detajet e marrëveshjeve në praktikë dhe më pas do të firmosen nga përfaqësuesit e autorizuar të secilës palë.
Gjithashtu gjatë qëndrimit në Universitetin e Vlorës Ismail Qemali, menaxhmenti i UPZ-së ka marr pjesë në një takim të organizuar nga Kryeministria e Republikës së Shqipërisë, Ministria e Arsimit dhe e Sporteve dhe Universiteti i Vlorës, me rastin e aksionit Ta pastrojmë Shqipërinë.