Universiteti i Prizrenit marrëveshje me Universitetin e Ljublanës
Prishtinë, 8 qershor - Universiteti Ukshin Hoti në Prizren dhe Universiteti i Ljublanës kanë lidhur marrëveshje për bashkëpunim në fushat akademike. Marrëveshja përkatëse është nënshkruar të hënën në mes të Rektorit të UPZ-së, Prof. Dr. Ramë Vataj dhe Rektorit të Universitetit të Ljublanës, Prof. Dr. Ivan Svetlik, gjatë vizitës që po zhvillon në këtë universitet një delegacion nga UPZ, pjesë e së cilit është edhe Dr. Bekim Gashi, zv.Kryesues i KD-së dhe Dr. Sadik Idrizi, Prorektor për Marrëdhënie me Jashtë.
Në takimin ishte prezent edhe prorektorja e UL-së, Tanja Mihalic dhe znj. Katja Cerjak, drejtoreshë e Zyrës për Marrëdhënie me Jashtë.
Në kuadër të marrëveshjes së bashkëpunimit, është diskutuar të realizohet dërgimi i studentëve dhe stafit të ri akademik në studimet të nivelit Master gjegjësisht të Doktoraturës, si dhe mundësinë e konkurrimit në projekte ndërkombëtare në fusha përkatëse të interesit të përbashkët.
Gjithashtu është diskutuar mundësia e konkretizimit të marrëveshjes në programet e reja, të cilat jemi duke i përgatitur ne si UPz, sidomos në themelimin e Fakultetit të Shkencave të Jetës dhe Mjedisit.
Në vazhdën e konkretizimit të kësaj marrëveshje, delegacioni nga UPZ është takuar edhe me dekanin e Fakultetit Bioteknik, prof. Davorin Gazvoda dhe prodekanët prof. Miha Humar dhe prof. Igor Potocnik. Pas informatave rreth programeve studimore, dekani i fakultetit ka ofruar edhe kurikulat origjinale për Shkencat e Pyjeve si dhe për Shkencat e Ushqimit dhe të Ushqyerit.
Gjithashtu është arritur pajtueshmëri që kohë pas kohe të dërgojnë profesorë për lëndët specifike për të mbajtur ndonjë ligjëratë në këto programe. Gjithashtu u bisedua edhe për mundësinë e vizitës së studentëve të këtyre programeve nga UPZ në Fakultetin Bioteknik në Ljubljane.