Universiteti i Prishtinës (UP) një hap larg zgjedhjes së rektorit
Prishtinë, 26 korrik - Të premten do të bëhet konstituimi i Këshillit Drejtues të Universitetit të Prishtinës (UP). Këtë lajm e ka konfirmuar Fidan Hamiti, koordinator dhe zëdhënës i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) në UP.
Në këtë mbledhje do të zgjidhen kryetari dhe nënkryetari i KD-së. Anëtarë të KD-së të Universitetit janë zgjedhur: Ajvaz Berisha, Behxhet Mustafa, Beqir Sadikaj, Blerim Kamberi e Safet Merovci nga radhët e UP-së, kurse nga Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MASHT), Nezir Coçaj, Elife Podvorica, Arben Fetoshi dhe Muharrem Nitaj.
Të premten mbahet mbledhja konstituive e Këshillit Drejtues të UP-së, ka thënë Hamiti për Epokën e re. Sipas Hamitit, pas konstituimit të Këshillit, komisioni për zbatimin e zgjedhjeve për rektor do tua prezantojë anëtarëve të KD-së raportin e kandidatëve që i kanë plotësuar kushtet formalo-juridike të cilët kanë kandiduar për rektor.
Konstituimi i Këshillit Drejtues i hap rrugë zgjedhjes së rektorit të UP-së. KD do ti thërrasë në interpelancë veç e veç të gjithë kandidatët të cilët i kanë plotësuar kriteret formalo-juridike.
Sipas Statutit të ri të Universitetit, Këshilli Drejtues për çdo vit zgjedh kryesuesin dhe zëvendëskryesuesin prej anëtarëve të vet, të cilët nuk janë punonjës të institucionit. Mandati i anëtarëve të Këshillit Drejtues zgjat tri vjet me mundësi rizgjedhjeje edhe për një mandat. Zgjedhjet për Këshillin Drejtues mbahen në qershor, kurse mandati fillon më 1 tetor.
Në Nenin 17 thuhet se KD është autoriteti kryesor qeverisës i UP-së, i cili ka përgjegjësi të përgjithshme strategjike për funksionimin efektiv institucional të këtij institucioni.
Po ashtu, KD është përgjegjës për të gjitha vendimet në lidhje me çështjet financiare (buxhetin, personelin, infrastrukturën), në mënyrë që të sigurojë kushte të përshtatshme për veprimtarinë e qëndrueshme të Universitetit në përputhje me obligimet e tij etj.