26 Dhjetor 2024

Universiteti i Prishtinës shënon 45 vjetorin e themelimit

Prishtinë, 13 shkurt - Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina” shënoi 45 vjetorin e themelimit dhe derisa në vitin 1971 kishte 11 mijë persona me arsim të lartë, në vitin 1991 kishte 30 mijë qytetarë me arsim të lartë, kurse sot rreth 110 mijë qytetarë kanë përfunduar nivelin e lartë të arsimit.

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Arsim Bajrami cili mori pjesë në ceremoninë solemne të shënimit të 45 vjetorit të themelimit  të Universitetit të Prishtinës.

Me këtë rast, ministri Bajrami theksoi se ky përvjetor na bën krenar për rritën e këtij universiteti. “45 vjet të Universitetit të Prishtinës, janë 45 vjet të historisë së Kosovës, sepse ky Universitet u themelua 45 vite me parë si një element i një revolucioni kulturor, si një fillim i një emancipimi kulturor dhe faktorizimi të shqiptarëve për t’u shndërruar në një vatër të edukimit, por edhe të rezistencës kombëtare”.

Por, ministri Bajrami theksoi se, sot ndodhemi para momentit të sfidës së reformimit të Universitetit. “Qeveria e Republikës së Kosovës është e vendosur që të punojë për reformimin e plotë të universiteteve në mënyrë që të promovojmë universitete të forta për një shtet demokratik”, tha ai, ndërsa theksoi se do të punohet bashkarisht për krijimin e universiteteve të forta e kualitative, të cilat do të jenë promotore të zhvillimit ekonomik, të krijimit të tregut të punës dhe të krijimit të një shtetit të edukuar, një shoqërie të emancipuar.

Ministri Bajrami i ftoi të gjithë akterët e përfshirë në arsimin e lartë që të japin kontributin e tyre gjatë ndryshimit të Ligjit për Arsimin e Lartë, në mënyrë që të ketë një reformë substanciale në këtë nivel të arsimit. Ai po ashtu, ftoi studentët që të ndihen pronarë të Universitetit dhe të jenë kërkues nga Universiteti.

Sa i përket procesit të aderimit në Bolonjë, ministri Bajrami theksoi se po bën përpjekje maksimale për të realizuar këtë synim. “Tani vendi ynë është i pavarur dhe poqëse sigurojmë stabilitet, qetësi, rend akademik, ne do të bëhemi pjesë e Zonës Evropiane të Arsimit të Lartë. Diplomat tona, profesorët tanë, studentët tanë, do të përfshihen në tregun evropian dhe kështu do ta kryejmë një mision që kemi ndaj shtetit që ne të kemi një arsim të lartë cilësor”, tha ministri Bajrami.

Në fund, ministri Bajrami foli edhe për studentët e dalluar të Universitetit “Hasan Prishtina”, të cilët ishin të pranishëm në këtë solemnitet. Së bashku me rektorin Ramadan Zejnullahu, ministri Bajrami iu ndau mirënjohje këtyre studentëve.

Sipas rektorit, Ramadan Zejnullahu, Universiteti nuk ndodhet aty ku do të dëshironte të ishte, megjithëse është institucioni më i madh dhe më prestigjioz i arsimit në Kosovë. 45 vjet nuk janë kohë e gjatë për histori vlerëson Zejnullahu, prandaj shprehet i përkushtuar për ndryshime aty ku munden.

Ai thotë se do të angazhohet për thellim të bashkëpunimit me universitetet nëpër botë, për programe cilësore që mundësojnë punësim jo vetëm në Kosovë, por edhe në vende të tjera.

“Ne kemi obligim të ofrojmë cilësi ndaj 53 mijë e 497 studentëve tanë dhe qindra e mijëra të rinjve të tjerë që pritet të trokasin në dyer tona për t’u regjistruar dhe arsimuar,” thotë rektori.

Universiteti i Prishtinës është themeluar me Ligjin mbi Themelimin e Universitetit të Prishtinës, të cilin e miratoi Kuvendi i Krahinës Socialiste të Kosovës, më 18 nëntor 1969. Themelimi i Universitetit të Prishtinës ishte ngjarje historike për popullin e Kosovës, si edhe për mbarë kombin shqiptar. Kuvendi themelues i Universitetit të Prishtinës u mbajt më 13 shkurt 1970, kurse dy ditë më vonë, më 15 shkurt 1970, u mbajt edhe mbledhja solemne e Kuvendit dhe pikërisht kjo datë u shpallë Dita e Universitetit të Prishtinës.

Në përbërje të Universitetit të Prishtinës të posa themeluar ishin këto fakultete me seli në Prishtinë: Fakulteti Filozofik, Fakulteti Juridiko-Ekonomik, Fakulteti Teknik dhe Fakulteti i Mjekësisë.

Tani Universiteti i Prishtinës i ka 17 fakultete, nga të cilat 14 janë fakultete akademike, ndërsa 3 janë fakultete të shkencave të aplikuara. Ndërkaq, me hyrjen në fuqi të Statutit të Universitetit, më 9 korrik 2004, të drejtat dhe përgjegjësitë e studentëve dhe të personelit të Fakultetit të Mësuesisë dhe të shkollave të larta pedagogjike u bartën në Fakultetin e Edukimit.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)