Universiteti i Prishtinës filloi vitin e ri akademik 2011-2012
Prishtinë, 3 tetor - Me rastin e fillimit të vitit të ri akademik, në Sallën e Kuqe të Fakultetit Filologjik të Universitetit të Prishtinës, u mbajt një akademi solemne, ku mori pjesë Presidentja e Republikës së Kosovës, znj Atifete Jahjaga, ministri i Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë Ramë Buja, rektori i Universitetit të Prishtinës, Mujë Rugova, ambasadori i Shqipërisë Islam Lauka, ambasadori i Italisë në Kosovë Michael Giffoni, studentë, profesorë dhe personalitete tjera vendore e ndërkombëtare.
Jahjga ka thënë së Universiteti i Prishtinës që nga themelimi ka qenë sinonim i Kosovës së re, që përqafon vlerat e civilizimit bashkëkohor, duke pasur rol emancipues për të gjithë shoqërinë, duke ndryshuar konceptin e jetës, duke nxitur synimet demokratike dhe duke krijuar rrethanat për zhvillimin dhe përparimin e gjithëmbarshëm të Kosovës.
\"Gjatë dyzet viteve, Universiteti i Prishtinës është përballur me sfida të shkaktuara nga politika e pafavorshme për Kosovën dhe për vetë universitetin, të cilat u kapërcyen falë dashurisë së jashtëzakonshme që kishte populli ynë ndaj arsimit dhe shkollës\" , ka theksuar presidentja Jahjaga.
Universiteti i Prishtinës, së bashku me institucionet e tjera arsimore sipas saj dha kontribut të jashtëzakonshëm në krijimin e ambientit shoqëror që kultivoi idenë e rezistencës, të qëndresës, të lirisë dhe të demokracisë.
Më këtë rast, ministri arsimit Ramë Buja iu uroi studentëve dhe mësimdhënësve një vit të mbarë akademik.
Ndër të tjera, ministri tha se Universiteti i Prishtinës është sinonim i të arriturave kulmore në fushën e arsimit, shkencës e të kulturës në Kosovë dhe se rezultatet e arritura ndër vite janë evidente, ashtu siç janë të ditura edhe vështirësitë e zhvillimit e të mbijetesës së UP-së në kohë të vështira.
Ndërkohë që, angazhimi dhe përkushtimi i Ministrisë së Arsimit mbetet rritja e e vazhdueshme e cilësisë në arsim, ashtu që ç`do ditë e më shumë të përafrohemi, e të jemi të krahasueshëm më të tjerët në Evropë dhe gjetiu.\"
\"Aktualisht, nuk jemi keq krahasuar me vendet e rajonit në këtë drejtim, por ende nuk jemi në nivelin e dëshiruar . Jemi në garë për dije dhe kjo do të thellohet edhe më shumë në të gjitha nivelet e arsimit në Kosovë, theksoi ministri Buja.
Ministri Buja më tej shtoi se tashmë jemi të angazhuar që të aftësojmë mësimdhenësit në përdorimin e Teknologjisë Informative në arsimin parauniversitar dhe se në këtë drejtim janë aftësuar rreth 8 mijë mësimdhënës për programin ECDL , ndërkohë që do të punohet edhe në drejtim të digjitalizimit të shkollave, tha ministri Buja dhe theksoi se kjo dhe zhvillimet tjera arsimore në të ardhmen do të bëjnë të mundur ecjen në hap me trendet bashkëkohore të mësimdhënies.