Universiteti i Prishtinës është Oksford për universitetet përreth
Prishtinë, 26 qershor - Universiteti i Prishtinës (UP) i ka bërë të gjitha përgatitjet për pranimin e rreth 12 mijë studentëve të rinj. Ka thënë se UP-ja ka kuadro dhe hapësirë që këtyre studentëve tu ofrojë studime cilësore.
Është zotuar se profesorët e UP-së nuk do të lejohen të ligjërojnë në asnjë universitet tjetër. Profesorët duhet të zgjedhin: ose të ligjërojnë në UP ose në ndonjë universitet tjetër. Por, çdo profesor që do të mbajë mësim edhe në një universitet tjetër përveç UP-së do të shkarkohet.
Beson se programet me të cilat UP-ja ka aplikuar për akreditim dhe riakreditim do të marrin vlerësim pozitiv nga ekspertët e Agjencisë për Akreditim të Kosovës. Ka thënë se UP-ja shpejt do ta hapë konkursin për studime të doktoraturës në të gjitha njësitë akademike.
Universitetin e Prishtinës e konsideron Oksford nga universitetet e rajonit. Kështu ka theksuar për Epokën e re, rektori i Universitetit të Prishtinës (UP), Mujë Rugova.
Ai ka deklaruar se UP i ka bërë të gjitha përgatitjet. Njësitë akademike e kanë propozuar numrin për pranimin e studentëve, që ata mendojnë se është i mjaftueshëm. Ky numër sillet rreth 12 mijë studentë nga të gjitha fushat e studimit.
Po i presim rezultatet e maturës, pastaj do ta shpallim konkursin. Këtë shifër për pranimin e studentëve e kemi dërguar në MASHT. Ata nuk kanë dhënë vërejtje për këtë numër, por as me shkrim nuk kemi marrë asnjë konfirmimin.
Ky numër shpresoj se do ti plotësojë kërkesat e maturantëve që ia mësyjnë UP-së. Këtu zakonisht spekulohet se nuk ka vende apo kuadro. Këto nuk qëndrojnë. Sa i përket hapësirës, e kam thënë shumë herë, se në UP punohet nga ora 8:00 deri në mbrëmje. Hapësirë ka. Kuadro ka.
Në qoftë se kemi kuadro që 70 profesorë të shkojnë në Tetovë në javë ose ti mbajnë kolegjet private, si është e mundur të mos kemi për UP-në? Asnjë profesor as nuk do të shkojë në Tetovë e as në kolegje private ose, në rast se dëshirojnë të shkojnë për të ligjëruar në Tetovë apo në kolegje, nuk mund të ligjërojnë edhe në UP.