Universiteti i Prishtinës emërohet Universiteti Hasan Prishtina
Prishtinë, 28 shtator - Bordi drejtues i Universitetit të Prishtinës, në mbledhjen e së premtes, ka marrë vendim që Universiteti i Prishtinës do të quhet "Universiteti Hasan Prishtina".
Vendimi i Bordit është marrë me propozim të Senatit të Universitetit të Prishtinës edhe me rastin e 100-vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë.
Hasan Prishtina lindi më 1873 në Vushtrri, ndërsa vdiq më 14 gusht 1933 në Selanik. Në Stamboll u diplomua në Fakultetin e Drejtësisë, përkatësisht në Fakultetin e Shkencave Politike Juridike.
Ishte patriot e demokrat revolucionar i shquar që luftoi për lirinë e pavarësinë e atdheut, për demokratizimin e jetës së vendit, për çlirimin e Kosovës nga zgjedha serbomadhe dhe bashkimin e saj me shtetin shqiptar.
Në vitet 1908-1912 u zgjodh tri herë deputet në Parlamentin osman si përfaqësues i Vilajetit të Kosovës në Prishtinë, të cilin e përdori si tribunë për mbrojtjen e të drejtave kombëtare të shqiptarëve.
Kjo periudhë e viteve, për atdhetarin e madh Hasan Prishtina, do të jetë vendimtare në kthesat historike kombëtare të popullit shqiptar.
Ai do të bëhet njëri ndër protagonistët kryesor që do të godiste fuqishëm themelet e Perandorisë Osmane në tokat shqiptare, por edhe ta largonte atë përfundimisht nga Shqipëria.