Universiteti i Mitrovicës pranohet në Rrjetin Europian për Integrim Akademik
Mitrovicë, 22 shkurt - Universiteti i Mitrovicës "Isa Boletini" është pranuar në Rrjetin Europian për Integrim Akademik (ENAI). Për këtë ka vendosur Bordi i Rrjetit Europian për Integrim Akademik (ENAI), që mbështet nga programi ERASMUSPLUS dhe Unioni Europian.
Ylber Januzaj, këshilltar i rektorit të Universitetit të Mitrovicës “Isa Boletini”, tha se anëtarësimi në këtë rrjet është shumë i rëndësishëm. “Në këtë rrjet ndërkombëtar bëjnë pjesë universitete me renome botërore, prandaj padyshim se ky është një lajm i mirë për Universitetin tonë”, tha ai.
Sipas tij, përfitimet nga ky rrjet janë të shumta. “Bërja pjesë e platformës bashkëpunuese të ENAI-t, e drejta e organizimit të konferencave dhe ngjarjeve të ENAI-t, e drejta e votës së Universitetit në zgjedhjen e bordit të ENAI-t dhe ndikimi i Universitetit në këtë rrjet”.
Poashtu, ai numëron si përfitim edhe përdorimin e konsulentëve, ekspertëve, mentorëve dhe folësve të ENAI-t, mandej informimin mbi mundësitë e granteve në dispozicion, prezencën në aktivitete të përbashkëta edukative dhe trajnuese, përdorimin e sistemit të vlerësimit të zhvilluar nga ENAI, shfrytëzimin e veglave të dobishme të marketingut, qasjen në burime dhe në programe trajnimi online si dhe pranimin e rregullt të lajmeve të reja mbi fushën akademike.
Januzaj thekson se objektiva kryesore e ENAI-t është promovimi i integritetit në fushën akademike.