Universiteti i Mitrovicës përfiton nga Komisioni Evropian
Mitrovicë, 7 korrik - Universiteti Isa Boletini në Mitrovicë, Universiteti Ukshin Hoti në Prizren dhe "University of South Bretagne në Lorinet të Francës, bashkërisht kanë përfituar një projekt në fushën e arsimit të lartë nga Komisioni Evropian. Është fjala për projektin "International Credit Mobility, në kuadër të të cilit parashihet shkëmbimi i studentëve dhe stafit akademik.
Për të shqyrtuar mundësitë që ofrohen nga Komisioni Evropian për të përfituar fonde dhe projekte të ndryshme me interes për universitetet, rektori i Universitetit të Mitrovicës, Alush Musaj, ka vizituar "University of South Bretagne në Lorinet të Francës, ku është takuar me homologun e tij, Jean Peeters. Në këtë vizitë ishte edhe prorektori për Marrëdhënie me Jashtë i Universitetit të Mitrovicës, Rifat Morina si dhe rektori i Universitetit Ukshin Hoti në Prizren, Ramë Vataj.
Në takim të tre rektorët kanë biseduar për zhvillimin e programeve të përbashkëta dhe mundësitë që ofrohen nga Komisioni Evropian për të aplikuar për ndonjë projekt në fushën e arsimit të lartë. Gjatë qëndrimit në Lorinet të Francës, rektorët Musaj e Vataj, kanë vizituar edhe kampusin e \"University of South Bretagne\", ku zhvilluan takime me dekanë të fakulteteve dhe profesorë të lëmive të ndryshme.
Gjithashtu ata morën pjesë edhe në Seminarin Franko-Ballkanik, të organizuar nga Ministria e Arsimit në Francë. Në këtë seminar, ndër të tjera u diskutua për rritjen e bashkëpunimit ndërmjet universiteteve nga Franca me ato nga Ballkani.
Për këtë mundësi rektorët Musaj e Vataj biseduan më konkretisht me përfaqësues të Universitetit të Bordos, Universitetit të Lilles dhe Universitetit të Lionit.