Universiteti i Mitrovicës, marrëveshje me Universitetin e Bursës
Stamboll, 24 dhjetor - Përveç me universitetet shqiptare, Universiteti i Mitrovicës Isa Boletini (UMIB), është duke krijuar raporte bashkëpunimi edhe me universitete të ndryshme prestigjioze në botë. Së fundi rektori i UMIB-it, Alush Musaj, ka nënshkruar një marrëveshje bashkëpunimi me rektorin e Universitetit Teknik të Bursës në Turqi, Arif Karademir.
Kjo marrëveshje është nënshkruar gjatë një vizite që po realizon këto ditë në Turqi, rektori Musaj, me një delegacion të gjerë nga UMIB-i. Bashkëpunimi me Universitetin Teknik të Bursës, është vlerësuar i rëndësishëm për mësimdhënësit dhe studentët e të dyja universiteteve.
Rektori i Universitetit Teknik të Bursës, Arif Karademir, ka çmuar përkushtimin e drejtuesve të UMIB-it për intensifikimin e bashkëpunimit universitar që do të ndihmoj në ngritjen e cilësisë dhe shkëmbimin e përvojave. Ai ka shprehur gatishmërinë që të ofroj lehtësi për mësimdhënësit dhe studentët e UMIB-it që duan të përfitojnë nga kapacitetet e Universitetit Teknik të Bursës.
Ai tha se përkundër faktit se Universiteti Teknik i Bursës është themeluar para 4 viteve, vetëm gjatë kësaj kohe janë investuar rreth 10 milionë euro në kabinete dhe laboratorë. Sipas tij, ky investim ka bërë që interesimi i studentëve të jetë i madh për programet që ofrohen aty, duke përfshirë edhe ato në gjuhën angleze.
Në anën tjetër, rektori Musaj, ka potencuar mundësitë e mëdha për bashkëpunim me Universitetin Teknik të Bursës, pikërisht për shkak të natyrës së përafërt të programeve që ofrojnë. Ai falënderoi homologun e tij për gatishmërinë e bashkëpunimit në të gjitha fushat me rëndësi për studentët.
Si mundësi e mirë u potencua shfrytëzimi i mundësive që ofrohet në Universitetin Teknik të Bursës për punë praktike të studentëve. Kjo u vlerësua e mirëseardhur për studentët e UMIB-it, të cilët do të mund të avancojnë punën e tyre studimore.
Në kuadër të marrëveshjes parashihet shkëmbimi i studentëve dhe mësimdhënësve, mandej ofrimi i mundësive që studentët e UMIB-it të kryejnë programe semestrale në master dhe doktoraturë, mandej përgatitjen e laborantëve etj.