Universiteti i Mitrovicës bashkëpunon me Institutin Pedagogjik të Kosovës
Mitrovicë, 24 tetor - Universiteti “Isa Boletini” në Mitrovicë dhe Instituti Pedagogjik i Kosovës do të bashkëpunojnë ngushtë për realizimin e interesave të dyanshme në fushën e edukimit dhe kërkimit.
Për këtë u nënshkrua edhe një Marrëveshje Bashkëpunimi ndërmjet këtyre dy institucioneve nga rektori Alush Musaj si dhe Labëri Luzha nga Instituti Pedagogjik i Kosovës.
Në kuadër të marrëveshjes parashihet që palët të bashkëpunojnë për organizimin e veprimtarive shkencore në interes të dy institucioneve: konferenca dhe simpoziume të përbashkëta, për realizmin e hulumtimeve të përbashkëta, botime të përbashkëta nga fusha e arsimit dhe edukimit, botime të studimeve dhe artikujve shkencore në revistat shkencore.
Poashtu dy insitucionet janë pajtuar që të bashkëpunojnë për aplikimin dhe zbatimin e projekteve ndërkombëtare, të cilat janë të ndërlidhura me veprimtarinë e dy institucioneve tona.
Rektori Musaj, falënderoi drejtuesit e IPK-së për mundësinë e ofruar. Ai tha se në kuadër të marrëveshjes planifikohet që të këmbehen materiale arkivore dhe literaturë shkencore, informacione, libra të përshtatshëm dhe materiale referuese të publikuara në të dy institucionet.
“Jemi dakorudar që të shkëmbejmë botimet/hulumtimet e realizuar, mandej të shkëmbejmë anëtarë në borde drejtuese dhe në redaksi profesionale apo shkencore, të të dy institucioneve”.
Ndërsa, Labëri Luzha, pasi e falënderoi rektorin për mikëpritjen, tha se më këtë marrëveshje mundësohet që insitucionet të japin ndihmë të ndërsjellë për studiuesit, për të lehtësuar punën për kryerjen e veprimtarisë kërkimore shkencore.
“Temat e aktiviteteve të përbashkëta dhe kushteve për shfrytëzimin e rezultateve të arritura dhe marrëveshjeve për vizita specifike, shkëmbime dhe forma të tjera të bashkëpunimit do të zhvillohen reciprokisht për çdo rast specifik”, tha ajo.
Ndër të tjera në marrëveshje parashihet që palët të pajtohen për angazhim të hulumtuesve të IPK-së si mësimdhënës për lëndët pedagogjike, në rastet e plotësimit të kushteve përkatëse dhe nevojave të programeve të Fakultetit të Edukimit. Angazhimmi do të bëhet sipas nevojave dhe do të rregullohen me marrëveshje të veçantë.
Gjithashtu përfaqësuesit e këtyre dy insitucioneve janë pajtuar që studentët e programeve fillor dhe parashkollor, të bëjnë praktikën pedagogjike në IPK, sipas kushteve të paracaktuara.