Universiteti i Mitrovicës anëtarësohet në Rrjetin e Universiteteve të Frankofonisë
Mitrovicë, 27 dhjetor - Universiteti i Mitrovicës “Isa Boletini” (UMIB), është anëtarësuar në Rrjetin e Universiteteve të Frankofonisë, ku bëjnë pjesë universitete, kolegje dhe institute kërkimore.
Pas Universitetit të Prishtinës, UMIB-i është universiteti i dytë në rajon që anëtarësohet në këtë rrjet që numëron 884 anëtarë prej 111 shteteve të ndryshme.
Rektori, Alush Musaj, e ka vlerësuar si një lajm të mirë anëtarësimin e UMIB-it në këtë rrjet, që ka si qëllim kryesor promovimin dhe përhapjen e gjuhës frënge në të gjithë botën.
“Është jashtëzakonisht lajm i mirë për Universitetin tonë që të jemi anëtar i këtij rrjeti që ka si mision edhe këshillimin dhe implementimin e projekteve, eksperimenteve dhe inovacioneve”, tha ai.
Ndryshe, përpos rrjetit të universiteteve, Rrjeti i Frankofonisë bashkëpunon edhe me institucione shtetërore dhe organizata internacionale.
Të qenit anëtar në këtë rrjet, mundëson qasje në rrjetin global të institucioneve anëtare, akademikëve dhe studiuesve frankofonë, mandej pjesëmarrje në projekte ndërmjet institucioneve anëtare si dhe pjesëmarrje në përgatitjen e projekteve.
Gjithashtu anëtarët e këtij rrjeti të themeluar para 50 viteve, përfitojnë nga mjetet dhe burimet arsimore të përshtatura për nevojat dhe kontekstet rajonale, duke promovuar përdorimin e teknologjive të informacionit dhe komunikimit për mësimdhënie dhe kërkime etj.