Universiteti i Gjilanit emëron prorektorët e parë
Gjilan, 29 shtator - Në proces të konsolidimit të strukturave drejtuese të Universitetit të Gjilanit, Këshilli Themelues ka emëruar edhe dy ushtruesit e detyrës së prorektorëve.
Sabri Tahiri është emëruar për çështje financiare dhe infrastrukturë kurse Xhevdet Thaçi, për çështje mësimore.
Ushtruesi i detyrës së Rektorit, njëherësh kryetar i Këshillit Themelues, Prof.Dr.Arben Dërmaku tha se Universiteti i Gjilanit është bërë gati për të pritur studentët e parë të tij, më 1 tetor.
Me këto emërime, Universiteti i Gjilanit ka konsoliduar edhe komponentin menaxhues dhe krahas përgatitjeve që janë bërë, si në aspektin akademik ashtu edhe të infrastrukturës, Universiteti është i gatshëm për ti pritur brucoshët e parë me 1 tetor dhe për ta nisur mbarë rrugëtimin e tij, tha ud. i Rektorit të Universitetit të Gjilanit, Prof.Dr.Arben Dërmaku.
Gjithashtu në mbledhjen e Këshillit Themelues është formuar edhe Komisioni për përgatitjen e procesit te akredimit.