Universiteti i Gjilanit do të regjistrojë 1032 studentë
Gjilan, 24 Shtator 2014 -Në të gjitha fakultete e Universitetit Kadri Zeka në Gjilan u mbajtën provimet pranuese të konkursit plotësues, afati i dytë, për pranimin e studentëve të rinj për vitin akademik 2014/2015.
Vaxhid Sadriu, Sekretar i Përgjithshëm në Universitet, tha se procesi i testimit ka shkuar mbarë dhe se nuk ka pasur ndonjë parregullsi.
Ai ka theksuar se Universiteti Kadri Zeka ne Gjilan, në vitin e parë të studimeve, në afatin e dytë të konkursit për vitin akademik 2014-2015, do të regjistrojë 1032 studentë, prej të cilëve 686 studentë të rregullt dhe 346 studentë me korrespondencë.
Nga numri i përgjithshëm si më sipër, Universiteti do të regjistrojë 14 studentë të rregullt nga Shqipëria, Maqedonia, Mali i Zi si dhe 453 studentë nga Presheva, Bujanoci dhe Medvegja, si dhe 31 studentë nga komunitetet jo-shumicë: boshnjakë, turq, romë, ashkali, egjiptianë dhe të tjerë.
Shpallja e rezultateve të provimit pranues do të bëhet më 26.09.2014, në ora 12.00. Kandidatët që refuzohen mund ti paraqesin ankesë Komisionit për ankesa, me date 26 dhe 27.09. 2014.
Pas këtij afati ankesat nuk do të pranohen. Ankesat do të shqyrtohen me datë 29 shtator 2014. Publikimi i listave sipas ankesave bëhet më datë 29 shtator 2014.