24 Dhjetor 2024

Universiteti i Gjilanit do të pranojë 500 studentë nga Lugina

​Gjilan, 27 qershor - Universiteti “Kadri Zeka” i Gjilanit, ka ndarë kuotat për pranimin e studentëve të rinj në vitin akademik 2014/2015. Që nga themelimi, ky universitet ka pasur për qëllim që të rrisë numrin e kuotave për studentët e Luginës së Preshevës.

Për këtë vit senati i Universitetit ka propozuar që të pranohen mbi 500 studentë nga Lugina. Ndërkohë, udhëheqës të komunave të Luginës, janë mirënjohës për mundësinë që u krijojnë universitetet e Kosovës studentëve të asaj ane.

Senati i Universitetit “Kadri Zeka” ka ndarë gjithsej 535 vende për studentët nga Lugina e Preshevës. Ndërkohë, është propozuar që këtë vit akademik të pranohen në Universitetin e Gjilanit rreth 2 mijë e 400 studentëve të rinj. Ushtruesi i detyrës së rektorit të Universitetit, Arben Dërmaku, tha për Radio Kosovën, se një nga qëllimet e Universitetit është që krahas studentëve nga rajoni i Gjilanit, të krijojë hapësirë të mjaftueshme për studentët e Luginës së Preshevës. Ai tha se pret përkrahjen e Ministrisë së Arsimit për numrin e studentëve nga Lugina.
 
“Qëllimi i kuotës për Luginën e Preshevës është për faktin se Lugina e ka afër Gjilanin dhe e dimë që atje kanë mundësi studime në fakultete private e shtetërore që janë me sistem arsimor të Serbisë. Ndërsa, tek ne ofrohet studimi në gjuhën shqipe dhe studentët mund të orientohen në Universitetin Kadri Zeka në Gjilan.”
 
 
Ndërkohë, kryetari i Komunës së Bujanocit, Nagip Arifi, tha për Radio Kosovën, se në muajin maj i ka bërë një shkresë Ministrisë së Arsimit të Kosovës, si dhe janë zhvilluar takime, ku janë bërë propozimet për kuotat e studentëve të Luginës së Preshevës në Universitetin e Prishtinës dhe atë të Gjilanit. Ai tha se është kërkuar që në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina” të pranohen 250 studentë si dhe në Universitetin “Kadri Zeka” të Gjilanit të pranohen 250 studentë.
 
“Kemi kërkuar që të parashihet një numër më i madh për studentët e Luginës së Preshevës dhe unë falënderoj kërkesën e rektorit të universitetit Kadri Zeka që i ka bërë Ministrisë për një kuotë më të madhe për regjistrimin e studentëve nga lugina e Preshevës. Ky numës është i mjaftueshëm sa i përket Universiteti Kadri Zeka, sepse ka shumë maturantë që duan të studiojnë edhe në universitete të tjera në Shqipëri e Maqedoni.”
 
Universiteti “Kadri Zeka” i Gjilanit, tashmë është duke kaluar nëpër tri procese njëkohësisht: në procesin e akreditimit të programeve, i cili pritet të përfundojë javën e parë të korrikut nga Agjencia e Akreditimit; në procesin e zgjedhjes së stafit akademik, si dhe në procesin e pranimit të studentëve të rinj për vitin akademik 2014/2015.
 
                   
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)