Universiteti i Gjakovës shënon përmirësime në rrafshin e publikimeve shkencore
Prishtinë, 9 shtator - Gjatë një vizite monitoruese në Universitetin e Gjakovës ORCA është informuar për dy zhvillime të rëndësishme si hap i mëtutjeshëm në avancimin shkencor dhe të transparencës së Universitetit të Gjakovës.
Rron Gjinovci dhe Gramos Buçinca nga ORCA kanë zhvilluar takim me Rektorin e Universitetit të Gjakovës Artan Nimani dhe Prorektoren Vjollca Dibra me ç’rast kanë diskutuar për mundësinë që ORCA të ndihmojë në zhvillimet e mëtutjeshme akademike të Universitetit të Gjakovës, si dhe bashkëpunimin e mundshëm në të ardhmen.
ORCA ka evidentuar rregulloren e vetme deri më tash nga ndonjë institucion i arsimit të lartë në Kosovë, e cila parasheh kompensime në shuma të caktuara për autorët e punimeve në revista shkencore që ndodhen në platformat e përcaktuara me rregullativat në fuqi.
Kjo rregullore ka hyrë në fuqi në Universitetin e Gjakovës në vitin 2020. Kjo mënyrë afirmative e rritjes së punimeve shkencore në nivel universiteti dhe në nivel vendi është e bazuar në sistemin çek të financimit të hulumtimit shkencor.
Megjithëse ka vend për përmirësime, këtë hap ORCA e konsideron jashtëzakonisht pozitiv.
Po ashtu ORCA ka pranuar numrin e parë të Buletinit Shkencor i vitit 2020 i Universitetit të Gjakovës, i cili përmban të gjitha punimet e stafit akademik të universitetit të cilat janë të botuara në platformat e pranuara për botim në vendin tonë.
Ky është një hap i rëndësishëm drejt rritjes së transparencës në institucionet publike të arsimit të lartë në Kosovë.
ORCA mbetet e përkushtuar që rregullativat e botimit shkencor të avancohen më tutje dhe të bëhen më rigoroze në nivel vendi e po ashtu është e gatshme për t’i ndihmuar institucionet publike të arsimit për t’u avancuar në këtë drejtim.
ORCA do të vazhdojë rolin e saj monitorues dhe kritik për institucionet publike të arsimit me qëllim të avancimit të tyre.