Universitetet shqiptare rangohen të fundit në rajon
Prishtinë, 2 gusht - Pas publikimit të rangimit të Institucioneve të Arsimit të Lartë nga Cybermetrics Lab, pjesë e Spanish National Research Council, dhe vetëkënaqësisë për rangimin më të mirë të Universitetit të Prishtinës (UP) në hapësirën mbarëshqiptare të arsimit të lartë, gjendja ndryshon shumë kur krahasohemi me vendet fqinje dhe të rajonit.
Blerim Rexha, kryetar i Agjencisë së Akrediditimit, shprehet se për t'u krahasuar me universitet tjera dhe kuptuar sa më mirë, situatën jo të mirë që jemi, UP-në e ka vendosë si pikë referente, pra në pozitën zero.
"Kështu shihet qartë se të gjitha universitet e kryeqyteteve të rajonit janë para UP-së, përveç Universitetit të Tiranës, që është mbrapa me 2322 vende! Këto kryeqytete kanë një traditë universitare më të gjatë se Prishtina, por po e kam vështirë ta pranoj që Universiteti i Shtipit, më i ri dhe më i vogël se UP-ja, të jetë 464 vende ose Universiteti Kragujevcit, po ashtu më i ri dhe më i vogël se UP-ja, të jetë 2029 vende para UP-së", shprehet Rexha.
Një pjesë të përgjegjësisë, për këtë renditje në fund të tabelës, sipas tij, padyshim e marrim ne profesorët e UP-së me mosangazhimin tonë si dhe menaxhmenti i UP-së për mosimplementim e të gjitha masave për sigurimin e cilësisë.
"Rangimi, cilësia dhe imazhi janë elemente kyçe që menaxhmenti i UP-së duhet ti kushtoj rëndësi, jo me qëllim që Cybermetrics Lab, apo cilido algoritëm rangimi të na vlerësoj më lart, por sepse këtë ua kemi borxh të ardhmes së fëmijëve tanë, të ardhmes studentëve tanë", ka thënë Rexha.