16 Nëntor 2024

Universitetet publike nuk kanë arritur ta krijojnë identitetin e tyre

Prishtinë, 18 dhjetor - Universitetet publike në Kosovë përballen me vështirësi të mëdha në realizimin e punës së tyre.

Meqë janë themeluar si premtim në fushatë zgjedhore, pa buxhet e kushte, këto universitete ndikohen lehtë nga politika e cila është munduar t’i arrijë synimet e saj duke ndërhyrë në mënyra të ndryshme në punën e tyre

Asnjëherë nuk është diskutuar hapur për nevojën e themelimit të universiteteve të tjera publike në Kosovë. Kjo “nevojë” ka lindur në kohë fushate zgjedhore, dhe këto institucione të arsimit të lartë në Kosovë janë në udhëkryq – mes nevojës së tyre për t’u konsoliduar dhe kërkesës së MAShT-it për t’u mbyllur.

Sado që hapja e gjithë këtyre universiteteve duket e paarsyeshme për një vend aq të vogël siç është Kosova, pas hapjes së tyre kanë ndodhur ndërhyrje të shumta – që nga punësimet e stafit me preferenca partiake, e deri te rasti i fundit kur Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MAShT), pa i vizituar dhe pa marrë qëndrimin e tyre ka dalë me një raport ku sugjerohet mbyllja e tyre.

Universitetet publike nuk kanë arritur ta krijojnë identitetin e tyre në atë masë sa të mos ndikohen lehtë, apo sa të mos lejojnë të jenë objekt trajtimi sa herë që ndërrohen qeveritë, pasi ministria udhëhiqet nga një subjekt tjetër politik.

Ekipi i Preportrit ka dalë në terren dhe e ka parë për së afërmi se si funksionojnë këto institucione të arsimit të lartë në vend. Gjendja nuk është e mirë as në aspektin e kushteve, të kuadrove e të cilësisë, e në anën tjetër numri i studentëve është mjaft i lartë –afër 50 mijë studentë në të gjashtë universitetet.

Kjo ka ardhur për faktin se këto universitete nuk kanë buxhet të mjaftueshëm që të funksionojnë ashtu si duhet, nuk kanë staf të mjaftueshëm, dhe infrastruktura nuk është e përfunduar edhe pse në disa prej tyre janë ndërtuar objektet e reja, e disa kanë në plan të merren me një gjë të tillë në të ardhmen.

Universitetet e tjera publike përveç Universitetit të Prishtinës, funksionojnë si të pavarura mirëpo kanë një ndërvarësi me MAShT-in sepse ende funksionojnë si nënprograme buxhetore të ministrisë.

Si n’pazar

Hapja e gjashtë universiteteve të tjera publike në Kosovë nuk është parë e nevojshme sidomos pasi që kjo ishte bërë pa një analizë paraprake dhe pa i parë nevojat në terren.

Megjithatë Qeveria e Kosovës që në atë kohë udhëhiqej nga Hashim Thaçi mori vendim që në Kosovë të hapen edhe gjashtë universitete të reja publike. Premtimi për hapjen e tyre u bë në kohë fushate parazgjedhore.

Të gjitha këto komuna ku janë hapur universitetet në të kaluarën kishin shkolla të larta por edhe fakultete të cilat ishin pjesë e Universitetit të Prishtinës. Për to ekzistonte një bazë infrastrukturore, mirëpo sfidat në fillim ishin mjaft të mëdha edhe për faktin se aty ishin punësuar njerëz pa përgatitje të mjaftueshme.

Kjo kishte arritur deri në atë pikë sa mësim kanë dhënë edhe njerëz me nivelin e studimeve baçelor. Vetëm në Prizren gjashtë profesorë ishin me baçelor të diplomuar në kolegje private.

Disa prej tyre notën mesatare e kishin pak më të lartë se gjashtë. Megjithatë duket se ky problem është zgjidhur në të gjitha këto universitete dhe ato janë duke punuar drejt konsolidimit të mëtejmë. Disa prej tyre i kanë vënë detyre vetes të profilizohen, kërkesë kjo edhe e Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë.

Rektorët e pesë universiteteve me të cilët ka folur ekipi i Preportrit, kanë thënë të kenë dëgjuar fjalë në media që ministria ka kërkuar që këto universitete të mbyllen ose të profilizohen.

Mbyllja u duket absurde kur dihet që ende po investohet në ndërtimin e infrastrukturës dhe në rritjen e stafit.

Megjithëse është diskutuar shumë për raportin e përfolur të MAShT-it, Preportr ka kërkuar qasje në këtë dokument.

Ekipi nuk ka arritur ta sigurojë raportin, por në një përgjigje të dërguar përmes postës elektronike, zyrtarë të MAShT-it na kanë thënë se ai raport ekziston dhe për të po diskutohet në nivel të Qeverisë.

Në ndërkohë, raporti ka qarkulluar nëpër media dhe në atë raport përmendet mbyllja e universiteteve dhe shndërrimi i tyre në fakultete që funksionojnë në kuadër të Universitetit të Prishtinës.

Në raport flitet për mungesën e cilësisë, për stafin e papërgatitur, për atë se si këto universitete e riprodhojnë njëri-tjetrin duke ofruar programe të njëjta, për mungesë të strategjive dhe planeve, etj.

Se çfarë është marrë për bazë në hartimin e këtij raporti ende nuk dihet, kur merret parasysh se sipas rektorëve të universiteteve publike, asnjë komision nuk ka shkuar t’i vizitojë dhe të marrë qëndrimin e tyre.

Komisioni e ka vizituar vetëm Universitetin e Gjakovës. Sipas rektorit Shaban Buza, në këtë universitet komisioni është njoftuar për mbarëvajtjen e punës. Te universitetet e tjera ky qëndrim i ministrisë ka krijuar konfuzion.

“As nuk kemi pas kontakt, nuk ka ardhë askush me bisedu me ne. Ata e kanë bërë një raport. Nuk kanë ardhur se po të kishin ardhë ne kemi qenë të gatshëm të takohemi me ta”, thotë rektori i Universitetit të Gjilanit, Bajram Kosumi.

Kosumi ka thënë se vendimi i ministrisë për të krijuar komision i cili e bën vlerësimin e punës së universiteteve ka krijuar konfuzion te stafi dhe të studentët. Ai thotë se pasoja e parë është që ka pasur numër më të vogël të të interesuarve që këtë vit akademik të regjistrohen në këtë universitet.

Qëndrim të njëjtë me Kosumin kanë ndarë edhe rektorët e tjerë të cilët janë habitur se si ka mundësi që të bëhet vlerësim pa u parë gjendja në universitete, kurse rektori i Universitetit të Mitrovicës, emër, tha që nuk e ka idenë se dikush ka nxjerrë raport, apo se është bërë ndonjë vlerësim.

Nevoja për profilizim

Vlerësimi që thuhet se e ka bërë ministria ka ardhur në kohën kur universitetet po përballen me nevojën për të krijuar kushte më të mira për studentët. Disa prej tyre shpëtimin e shohin te profilizimi derisa të tjerët mendojnë se këtyre universiteteve u duhet më shumë buxhet për ta vazhduar punën dhe për të krijuar kushte më të mira. Universitetet që kanë pasur një bazë si ai i Mitrovicës – që është i orientuar më shumë në shkencat teknike – e kanë më të lehtë profilizimin.

Të profilizohen e kanë të lehtë dhe gati janë duke shkuar në atë drejtim, thonë rektorët e Universitetit të Pejës dhe të Gjakovës. Gjilani dhe Prizreni po kërkojnë të krijojnë veçantinë e tyre duke iu përshtatur nevojave dhe mundësive që i kanë këto komuna: Gjilani në matematikë, Prizreni në trashëgimi kulturore dhe turizëm. Mirëpo për të ndodhë kjo duhen mjete materiale dhe resurse humane.

Rektori i Universitetit të Pejës, Fadil Millaku, thotë se ky universitet është gati i profilizuar.

“Ne këtu kemi Fakultetin e Agrobiznesit. Regjioni i Dukagjinit njihet për bujqësi dhe agrobiznes. Ne kemi drejtimet si teknologji e prodhimit bimor, agro mjedis, agroekologji dhe teknologji ushqimore. E kemi Fakultetin e Turizmit. Peja është vend turistik, i ka alpet shqiptare këtu. E kemi Fakultetin e Biznesit. Peja është vend i biznesit dhe ka nevojë për kuadro në fushën e biznesit. E kemi edhe Fakultetin Juridik dhe për fat të mirë, konkurrenca ka qenë më e madhe në këtë fakultet. E kemi edhe Fakultetin e Arteve”, thotë ai për të dëshmuar se rajoni i Pejës është i orientuar nga biznesi, prandaj universiteti mund të krijojë kuadro për nevoja të tregut.

Gjakova sipas rektorit Buza, profilizimin e ka pasur si parësore dhe është munduar që këtë çështje ta shtyjë përpara edhe në takimet me rektorët e tjerë, por edhe me Ministrinë e Arsimit.

Më të vështirë e sheh profilizimin rektori i Universitetit të Gjilanit, Bajram Kosumi. Ai thotë se profilizimi është futë si fjalë dhe tingëllon këndshëm por në fakt kjo fjalë po përdoret më shumë për t’i sulmuar universitetet e reja. Madje ai thotë se profilizimin nuk ka arritur ta bëjë as Universitetit i Prishtinës, ani pse si ide është diskutuar para pesë gjashtë vitesh.

Vlen të theksohet se të gjitha universitetet publike në programin e tyre e kanë futur juridikun dhe ekonomikun por në disa prej tyre kritika më e madhe edhe prej njohësve të fushës së arsimit ka qenë në këtë pikë. Ajo që është diskutuar shumë ka qenë fakti përse është dashur që të gjitha universitetet përveç Gjakovës t’i kenë këto drejtime në universitetet e tyre dhe kjo është bërë pa ndonjë analizë paraprake për të parë se cilat janë nevojat e tregut.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)