Universitetet publike kanë rënë nga provimi i transparencës
Prishtinë, 27 shkurt - Organizata për Rritjen e Cilësisë në Arsim (ORCA) sot ka publikuar një hulumtim për të gjitha universitetet publike të Kosovës.
Në një tryezë ku morën pjesë akterë të ndryshëm nga fusha e arsimit të lartë, ORCA ka prezantuar të gjeturat e hulumtimit “Transparenca formale e universiteteve publike – Universitetet në provim”.
ORCA në këtë hulumtim ka grumbulluar të dhëna mbi ekzistencën e 27 dokumenteve nga universitetet publike, të cilat përbëjnë informacionin më bazik rreth funksionimit të tyre. Të dhënat janë grumbulluar nga ueb faqet zyrtare të 7 universiteteve publike të vendit.
Në kuadër të hulumtimit ne kemi arritur ta bëjmë indeksimin e transparencës në kontekstin e shpjeguar dhe kemi arritur që këtë indeksim t’ia përshtatim sistemit të notimit në arsimin e lartë në vendin tonë. Asnjë nga universitetet publike nuk ka marrë notën 10 e as 9.
Universiteti i Prishtinës prinë në listën e rezultateve me notën 8. Ky pasohet nga Universiteti i Pejës, i Mitrovicës dhe ai i Prizrenit me notën 7.
Universiteti i Gjilanit është në kufi të kalueshmërisë me notën 6. Ndërkaq Universiteti i Ferizajt dhe ai i Gjakovës kanë rënë nga provimi.
Nga të gjeturat është kuptuar se në shumicën e universiteteve publike mungojnë rregulloret që kanë të bëjnë me zgjedhjen e stafit akademik dhe për të ardhurat financiare të stafit.
Shqetësim serioz sipas ORCA-s mbetet mospërditësimi, ashtu edhe mungesa e dokumenteve të mëhershme sidomos të vendimeve të Senatit, Këshillit Drejtues dhe të Rektorit.
Në tryezën e organizuar sot ka folur edhe drejtori i Organizatës Çohu, Arton Demhasaj, i cili ka prezantuar disa nga hulumtimet e Çohut për politizimin e universiteteve publike.
Pjesëmarrësit tjerë që kanë përfshirë deputetë nga komisioni parlamentar për arsim, dhe kryetari i Këshillit Shtetëror të Cilësisë, po ashtu kanë shfaqur shqetësimet e tyre për transparencën dhe problemet tjera në këto universitete.
Në tryezë ishin të ftuar përfaqësues nga të gjitha universitetet publike, por vetëm Universiteti i Prishtinës ka pranuar ftesën dhe ka marrë pjesë në diskutim.