Universitetet bashkëpunojnë për tu përballur me sfidat
Prishtinë, 21 prill - Universiteti i Mitrovicës Isa Boletini (UMIB) dhe Universiteti i Prishtinës Hasan Prishtina, do të bashkëpunojnë ngushtë për të gjitha sfidat që lidhen me çështjet universitare. Për këtë u dakorduan rektori i UMIB-it, Alush Musaj dhe homologu i tij nga UP-ja, Marjan Dema, në një takim të përbashkët që zhvilluan të enjten në Universitetin e Prishtinës.
Musaj, e uroi rektorin e UP-së për detyrën që ka marrë, duke i ofruar bashkëpunim në të gjitha fushat me rëndësi për të dy universitetet. Bashkëpunimi i ngushtë me UP-në është shumë me rëndësi për Universitetin e Mitrovicës, duke pasur parasysh përvojën e gjatë të UP-së, tha ai.
Në anën tjetër, rektori Dema, u shpreh i gatshëm për bashkëpunim në mënyrë që të përballen më lehtë me sfidat që kanë universitetet kosovare. Ne do ta forcojmë bashkëpunimin me Universitetin e Mitrovicës, por edhe me universitetet tjera në vend, në mënyrë që bashkërisht të ecim në drejtim të rritjes së cilësisë së arsimit, tha ai.
Në takim u bisedua edhe për marrëveshjen ndërmjet dy universiteteve për ndarje që është nënshkruar vitin e kaluar. Të dy palët u pajtuan që bashkërisht të gjejnë mënyrën më të mirë për zbatimin e saj pa u dëmtuar asnjëri universitet.