Udhëheqës të SBASHK takohen me rektorin e Zejnullahu
Prishtinë, 30 tetor - Një delegacion i SBASHK-ut, i kryesuar nga kryetari Rrahman Jasharaj, kanë qenë mysafirë në Rektoratin e UP-së.
Atje janë pritur nga Rektori, Dr. Prof. Ramadan Zejnullahu, i cili ka njoftuar këtë delegacion për angazhimet e këtij Institucioni të rëndësishëm në shërbim të mirëvajtjes së punës në këtë Universitet.
Rektori ka përmendur edhe sfidat, të cilat, si tha ai, me punën dhe përkushtimin e gjithë të punësuarve në këtë Institucion me rëndësi të veçantë për arsimin e Kosovës , do të tejkalohen dhe do të shënohen arritje të reja.
Kryetari i SBASHK-ut Rrahman Jaharaj bashkë me anëtarët e delegacionit Bardh Bardhi , kryetar i SUSHK-ut , Ymer Ymeri dhe Vlora Rexhepi e kanë përgëzuar Rektorin për detyrën dhe i kanë shprehur gatishmërinë për bashkëpunim të sinqertë e korrekt në shërbim të mirëvajtjes së punës në këtë Institucion të Lartë të Arsimit.
Kryetari i Sindikatës së Universitetit (SUSHK), që është pjesë përbërëse dhe shumë e organizuar e SBASHK-ut, Bardh Bardhi i ka treguar Rektorit për rrjedhat e veprimtarisë sindikale në Universitet dhe veçmas është ndalur te angazhimet për Kontratën e re Kolektive për Universitetin, që pritet të nënshkruhet së shpejti nga të dy palët, pasi që teksti final i saj është harmonizuar në tërësi.
Rektori, Dr. Prof. Ramadan Zejnullahu dhe delegacioni i SBASHK-ut janë shprehur të gatshëm për takime pune dhe për bashkëpunim korrekt gjatë gjithë kohës e në shërbim të mirëvajtjes së punës në këtë Institucion të Lartë të Arsimit të Kosovës.