U organizua ligjëratë për pronësinë intelektuale
Prishtinë 6 korrik - Në kuadër të aktivitetit njëjavor, që po mbahet në Universitetin UBT Akademi për Ndërmarrësi dhe Inovacione, që ka një karakter të lartë shkencor nga bota e ndërmarrësisë dhe të inovacioneve, në ligjëratën e radhës është paraqitur Isa Dukaj, drejtor i Zyrës për Pronësi Industriale në MTI.
Sipas Dukajt, të drejtat e autorit dhe të drejtat e përafërta janë pronësi intelektuale. Sipas tij, të drejtat e autorit, janë veprat letrare, veprat muzikore, veprat koreografike, veprat e artit nga lëmi i pikturës, skulpturës dhe arkitekturës, veprat fotografike, veprat kinematografike, përkthimet dhe përpunimet e ndryshme të veprave, kurse të drejtat e përafërta janë interpretimet e artistëve, fotogramët, videogramet dhe emetimi i radios dhe televizionit.
Kurse pronësi industriale, sipas Dukajt, janë patentat, marka tregtare, dizajni industrial, emërtimet e origjinës dhe topografitë e qarqeve të integruara.
Këta sektorë të cekur më lartë kanë edhe institucione mbrojtëse, jo vetëm në vendin tonë, por edhe në mbarë vendet e zhvilluara si: zyra e pronësisë industriale, autoritetet doganore, sistemin gjyqësor, shërbimin policor etj. Gjithashtu këta sektorë kanë edhe infrastrukturë ligjore, ka thënë ai, duke bërë me dije se patenta është një e drejtë ligjore ekskluzive që jepet për një shpikje.
Shpikja është një produkt ose proces që siguron një mënyrë të re për të bërë diçka ose ofron një zgjidhje të re teknike për një problem, ka thënë Dukaj.
Sipas tij, shpikje është risi, shkalla e risisë dhe zbatueshmëria industriale. Shpikësi është person, i cili me punën e vet krijuese ka bërë shpikjen. Shpikës nuk konsiderohet personi, i cili gjatë shpikjes ka ofruar vetëm ndihmë teknike. Kurse marka tregtare është një shenjë dalluese, e cila identifikon mallra apo shërbime të ofruara nga një individ apo ndërmarrje e caktuar.\"
\"Origjina e saj e ka zanafillën nga kohët e lashta, kur artizanët riprodhuan nënshkrimet e tyre ose markat në produktet e tyre artistike apo të përdorimit të përditshëm. Gjatë viteve, këto marka u zhvilluan për të arritur në sistemin e sotëm të regjistrimit e mbrojtjes. Sistemi ndihmon konsumatorët që të identifikojnë dhe blejnë një mall apo shërbim, pasi natyra dhe cilësia e tij, të treguara nga marka e tij unike, përmbushin nevojat e tyre, është shprehur Dukaj, sipas të cilit dizajni industrial është aspekti dekorativ apo estetik i një artikulli.
Dizajni mund të përbëhet nga karakteristika tridimensionale, si forma ose sipërfaqja e një artikulli, ose nga tipare dydimensionale, si motive, vija ose ngjyra, ka bërë me dije ai.
Dukaj ka folur edhe rreth shkeljes dhe pasojave të patentës. Sipas tij, kemi dy lloj shkelje e që janë e drejta materiale dhe e drejta jomateriale.
Ndërkaq profesori i UBT-së, me origjinë nga Austria, prof. Engelbert Selenko, më konkretisht ka ligjëruar për kulturën, kontrollimin dhe komunikimin në biznes.
Ndryshe, punimet e kësaj akademie shkencore do mbahen edhe sot, dhe do të ligjërojnë profesorë e ekspertë nga vendi dhe Evropa, kurs më 7 korrik, më saktësisht nesër do vizitohen disa kompani më të suksesshme të vendit.