U hap panairi Arsimimi i të rriturve dhe mësimi gjatë gjithë jetës
Prishtinë, 22 nëntor - Nën patronatin e Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MAShT), në bashkëpunim të ngushtë me organizatën DVV International zyra në Kosovë, është organizuar Panairi promovues Arsimi i të rriturve dhe mësimi gjatë gjithë jetës, ku po promovohet puna e ofruesve të arsimit joformal për të rritur në Kosovë.
Hapjen solemne të Panairit e bënë Zëvendësministri i Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale, Berat Luzha , Xhavit Dakaj, sekretar i përgjithshëm i MAShT dhe Ramadan Aliu (DVV International).
Qëllimi i këtij panairi është lobimi dhe promovimi i punës disavjeçare të institucioneve shtetërore dhe private të arsimit për të rritur, OJQ-ve vendore, dhe ofrues të tjerë të arsimit për të rritur.
Me këtë rast Xhavit Dakaj, sekretari i përgjithshëm i MAShT-it tha se ky panair dëshmon se institucionet tona arsimore, të rinjtë tanë , janë të aftë të bëjnë punë të vlefshme profesionale për të mirën e tyre dhe të vendit.
Ai premtoi se Ministria e Arsimit, do të vazhdojë të krijojë kushte sa më të mira për mësim cilësorë, ndërsa së shpejti do të themelojë edhe Agjensionin për Arsimin dhe Aftësimin Profesional dhe Arsimin e të Rriturve , i cili do të jetë një ndihmesë për arritjen e rezultateve akoma më të mira.
Të pranishmit i përshëndeti edhe Zëvendësministri i MPMS , z Berat Luzha i cili ndër tjera theksoi rëndësinë e promovimit të vlerave nga puna praktike e nxënësve që njëherësh dëshmon për kreativitetin dhe përkushtimin dhe shkathtësitë profesionale.
Ndryshe , ky panair hyn në procesin e vazhdueshëm të promovimit dhe sensibilizimit të të mësuarit për të rritur dhe mësimit gjatë gjithë jetës, me çrast, për dy ditë sa do të zgjasë ky panair, vizitorët do të kenë mundësi që të furnizohen me materiale dhe njohuri të ndryshme të cilat i ofrojnë organizatat e ndryshme.
Në Panair po marrin pjesë shkollat e mesme profesionale, të cilat ofrojnë programe të arsimit për të rritur, qendrat e arsimit profesional, qendrat rinore, OJQ-të vendore, dhe ofrues privat të arsimit për të rritur në Kosovë , etj.
Panairi dyditor ( 22- 23 nëntor 2012 ) po mbahet në ambientet e Hotelit Grand në Prishtinë .