U hap Fakulteti i Sigurisë Publike
Në ceremoninë e hapjes së këtij fakulteti morën pjesë: zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Izmi Zeka, drejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Shpend Maxhuni, ud/i Kryeprokurorit të Shtetit, Sylë Hoxha, drejtues të Agjencive të Sigurisë Publike, si dhe përfaqësues të institucioneve vendore dhe ndërkombëtare
Zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Izmi Zeka tha se Akademia e Kosovës për Siguri Publike, ka dhënë kontribut të jashtëzakonshëm në ngritjen e kapaciteteve, fillimisht të Policisë së Kosovës, pastaj Doganës, Shërbimit Korrektues, Menaxhimit të Emergjencave, Shërbimit Sprovues dhe Inspektoratit Policor.
Ministria e Punëve të Brendshme ka vlerësuar lartë punën e Akademisë e cila në përkrahje të Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë dhe pas një angazhimi të jashtëzakonshëm po hapet Fakulteti i Sigurisë Publike, përkatësisht fillimi i funksionimit të programit studimor katërvjeçar Bachelor, në sigurinë publike, i dizajnuar në pajtueshmëri me sistemin e Bolonjës për arsimin e lartë, tha Zeka.
Ndërsa drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Shpend Maxhuni, ka përgëzuar Akademinë për një arritje kaq të rëndësishme, siç është hapja e Fakulteti të Sigurisë Publike.
Hapja e këtij Fakulteti është bërë me qëllim të avancimit të punës profesionale në të mirë të të gjithë qytetarëve të Kosovës. Hapja e këtij fakulteti është një etapë e re me qëllim të avancimit profesional, i cili do të ndikojë në mënyrë pozitive në punën e pjesëtarëve të sigurisë publike, u shpreh Maxhuni.
Drejtori i Përgjithshëm i Akademisë së Kosovës për Siguri Publike, Ismail Smakiqi e quajti moment historik hapjen e Fakultetit të Sigurisë Publike.
Akademia që nga sot fillon në praktik funksionalizimin e nenit 2, pika 1 të Ligjit për Akademinë e Kosovës për Siguri Publike, i cili Akademinë e bënë institucion përgjegjës për ofrimin e trajnimit dhe arsimit të lartë, si dhe zhvillimin e kapacitete në fushën e sigurisë publike, tha Smakiqi.
Drejtori i AKSP-seë Ismail Smakiqi, theksoi se Akademia është i vetmi institucion kombëtar i trajnimit dhe arsimimit, ku më shumë se 12 mijë të punësuar në agjenci të sigurisë publike kanë përfunduar trajnimin bazik në Akademinë e Kosovës për Siguri Publike.
Para studentëve të vitit të parë akademik 2014/2015, me një fjalë rasti dekani i Fakultetit të Sigurisë Publike, Nazmi Iballi, theksoi se programi studimor i akredituar përmban në vete traditën e vlerave civilizuese evropiane në fushën e sigurisë.