Trajnohen mirëmbajtësit e shkollave
Mitrovicë, 25 korrik - Më qëllim të aftësimit për të sanuar dëme të ndryshme që ndodhin nëpër shkolla, Drejtoria e Arsimit në Komunën e Mitrovicës, ka organizuar një trajnim për mirëmbajtësit e shkollave.
Trajnimi që ka përfshi ngrohjen qendrore, ujësjellësin dhe ngjyrosjen, është realizuar falas nga Qendra e trajnimeve në kuadër të organizatës gjermane Diakonie.
Pasi përfundimit të trajnimit një mujor për 20 punëtorë teknikë, janë shpërnda edhe certifikata nga drejtori i Arsimit, Ali Bejta dhe drejtori i Qendrës së trajnimeve të Diakonie, Lavdim Zeqiri.
Ata e kanë vlerësuar si një projekt shumë të rëndësishëm, meqë do të ndihmoj në aftësimin e mirëmbajtësve të shkollave.
Drejtori Ali Bejta, tha se tash e tutje nuk do të ketë nevojë që për çfarëdo problemi të angazhohet kompani private, siç ka ndodhur deri me tani.
Jemi shumë të kënaqur që kemi gjetur mbështetjen e Diakonie, për këtë projekt, meqë besojmë se do të ndikoj pozitivisht në rritjen e nivelit të mirëmbajtjes së shkollave.
Ndërsa, drejtori i Qendrës së trajnimeve të Diakonie, Lavdim Zeqiri, është shprehur i kënaqur me ecurinë e trajnimit dhe interesimin e kandidatëve.
Gjithçka ka shkuar mirë dhe besojmë se kandidatët janë aftësuar për të intervenuar në rastet e avarive të ndryshme që ndodhin në shkolla.
Zyrtarët komunalë janë të vendosur që të vazhdojnë trajnimin edhe për punëtorët tjerë teknikë që punojnë në shkolla.