Themelohet Unioni i Studentëve të Republikës së Kosovës - USRK
Prishtinë, 5 nëntor - Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë ka hartuar dhe miratuar bazën ligjore për themelimin dhe funksionalizimin e Unionit të Studentëve të Republikës së Kosovës - USRK.
Themelimi dhe funksionalizimi i USRK mbështetet përmes projektit të TEMPUS të financuar nga Bashkimi Evropian Mbështetja për Ndërkombëtarizimin e Sistemit të Arsimit të Lartë të Kosovës përmes krijimit të Unionit të Studentëve të Kosovës SIHEKSU, i cili zbatohet në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, universitetet në Kosovë dhe disa universitete evropiane.
USRK do të ketë statusin e entitetit publik, i cili do të funksionalizohet deri në fund të vitit 2015 me konstituimin e Asamblesë së Përgjithshme të USRK dhe organeve drejtuese. Të gjithë studentët e regjistruar dhe që vijojnë studimet në institucionet e arsimit të lartë në Republikën e Kosovës do të mund të jenë anëtarë të USRK.
Themelimi dhe funksionalizimi i USRK paraqet hap të rëndësishëm për arsimin e lartë, përkatësisht për institucionalizimin e rolit të studentëve dhe Ministria në bashkëpunim me organet e zgjedhura të USRK dhe partnerët zhvillimor do të mbështesë konsolidimin e qëndrueshëm të USRK, anëtarësimin e tij në mekanizmat ndërkombëtarë, përfshirë Unionin e Studentëve të Europës.
Në vegzën e mëposhtme mund të gjeni Udhëzimin Administrativ Nr. 16/2015 për themelimin dhe funksionalizmin e Unionit të Studentëve të Republikës së Kosovës - USRK.